Kompania aksionere në shumicë e projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka reaguar publikisht ndaj akuzave të fundit të publikuara në media, të cilat pretendojnë se investimi po mbështetet nga fonde me origjinë ruse. Në një deklaratë zyrtare, kompania i cilëson këto pretendime si “spekulative, të pabazuara dhe pjesë e një narrative të qëllimshme për të deformuar realitetin”.
Sipas reagimit, bëhet fjalë për një rikthim të një teorie të vjetër konspirative, e cila është përdorur edhe më herët në kontekste të ngjashme dhe që, sipas kompanisë, lidhet me tentativa për të cenuar interesat e aksionerit që zotëron 98% të projektit. Kompania argumenton se shpërndarja e këtyre lajmeve nga disa media, me përmbajtje dhe tituj identikë, tregon për një përpjekje të koordinuar për të krijuar perceptim negativ në opinionin publik, sidomos në një moment të ndjeshëm për proceset ligjore që lidhen me projektin.
Në thelb të akuzave qëndron interpretimi i një marrëdhënieje kredie me një institucion financiar ndërkombëtar, fondi Delphos, e cila, sipas kompanisë, është një praktikë standarde tregtare dhe nuk ka asnjë lidhje me ndikim apo kontroll të huaj mbi aeroportin. Kompania thekson se kjo kredi është marrë në emër të saj dhe nuk prek në asnjë mënyrë strukturën e pronësisë apo kontrollin mbi projektin.
Reagimi sqaron gjithashtu se fondet ndërkombëtare operojnë në tregje globale dhe përfshijnë investitorë nga vende të ndryshme, duke e bërë të pabazuar çdo përpjekje për të lidhur ekspozimin financiar me ndikim gjeopolitik. Në këtë kontekst, kompania sjell shembuj të institucioneve të mëdha financiare ndërkombëtare që kanë pasur ekspozim në obligacione sovrane të vendeve të ndryshme, pa nënkuptuar kontroll apo ndikim politik.
Për të mbështetur qëndrimin e saj, kompania i referohet edhe dokumenteve shoqëruese, përfshirë një opinion nga një kompani ndërkombëtare auditimi dhe një përgjigje zyrtare nga institucioni financiar në fjalë, të cilat sipas saj hedhin poshtë kategorikisht aludimet për fonde ruse.
Në përfundim, aksioneri shumicë e konsideron këtë situatë si një fushatë presioni dhe dezinformimi në prag të vendimmarrjeve të rëndësishme ligjore, duke theksuar se në mungesë të argumenteve juridike po përdoren narrativa të pabazuara për të ndikuar perceptimin publik. Kompania shprehet e vendosur për të ndjekur rrugët ligjore ndaj çdo publikimi që cenon reputacionin e saj dhe u bën thirrje mediave që të mbështeten në fakte të verifikueshme dhe analizë profesionale.
Ky reagim vjen në një moment kur projekti i Aeroportit të Vlorës mbetet një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, ndërsa debati publik rreth tij vijon të jetë i ndezur mes interesave ekonomike, ligjore dhe perceptimeve mbi transparencën e financimit. /ekofin.al

