Institucionet publike në Shqipëri duhet të kalojnë drejt makinave elektrike në blerjet e reja të automjeteve. Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës vendos si objektiv (filluar nga viti 2025), që 100% e automjeteve të lehta të prokuruara të jenë elektrike (EV) ose hibride plug-in (PHEV). Për kamionët dhe autobusët vendosen objektiva më të ulëta, por me afat deri në vitin 2030.
Masa prek ministritë, autoritetet e tjera publike dhe njësitë e qeverisjes vendore. Plani parashikon miratimin e objektivit minimal për përqindjen e automjeteve të pastra në prokurime, përshtatjen e legjislacionit dhe përgatitjen e dokumenteve standarde që institucionet do të përdorin gjatë tenderëve. Prokurimi sipas rregullave të reja parashikohet “nga viti 2025 e në vazhdim”.
Po çfarë konsiderohet automjet i lehtë “i pastër”
Deri më 31 dhjetor 2025, makina ose furgoni duhet të emetonte jo më shumë se 50 gramë CO2 për kilometër, si dhe të respektonte kufizime për emetimet reale të NOx dhe grimcave. Por nga 1 janari 2026, përkufizimi bëhet shumë më i fortë: si automjete të lehta të pastra konsiderohen vetëm ato me zero shkarkime.
Ndryshimi nuk kufizohet vetëm te makinat e administratës. Për automjetet e rënda, PKEK parashikon që deri në vitin 2030, 20% e kamionëve të prokuruar të përdorin lëndë djegëse të pastra, si hidrogjeni ose alternativa të tjera të pastra. Për autobusët, objektivi rritet në 25% deri në vitin 2030.
Për automjetet e rënda, lista e teknologjive që dokumenti konsideron të pastra është më e gjerë. Ajo përfshin hidrogjenin, bateritë elektrike dhe hibridet plug-in, gazin natyror të ngjeshur ose të lëngshëm, përfshirë biometanin, biokarburantet e lëngshme, lëndët sintetike dhe parafinike dhe gazin e lëngshëm të naftës.
Nuk dihet ende se sa do t’i kushtojë shtetit zëvendësimi apo blerja e flotës së automjeteve, por si burime financimi do të përdoret buxheti i shtetit dhe donatorët për kostot e investimit. Plani parashikon 10 mijë euro për asistencë teknike, e lidhur me përgatitjen e dokumenteve të prokurimit dhe trajnimin e stafit.
Prokurimi publik përdoret si instrument për të shtyrë tregun drejt automjeteve me emetime më të ulëta, duke nisur nga vetë administrata dhe duke u shtrirë më pas te kamionët dhe autobusët. /ekofin.al
