Zhvillim historik për sektorin bankar italian, por edhe atë evropian. Intesa Sanpaolo, banka më e madhe në Itali dhe një nga grupet më të mëdha bankare në Evropë, ka hyrë zyrtarisht në tregun e kripto-valutave. Intesa Sanpaolo ka investuar rreth 1 milionë dollarë për të blerë 11 Bitcoin. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht edhe përmes një emaili të brendshëm të Niccolò Bardoscia, Drejtues i Tregtimit të Aseteve Digjitale dhe Investimeve në bankën italiane.
“Me shpresën që ky të jetë vetëm fillimi,” shkruante ndër të tjera drejtuesi, në emailin e brendshëm për drejtuesit e lartë të bankës. Lajmi është konfirmuar më tej zyrtarisht edhe në Bursën e Milanos dhe kjo në fakt është hera e parë jo vetëm për bankën e drejtuar nga Carlo Messina, por për të gjithë sistemin bankar italian që përfshihet në një transaksion zyrtar të blerjes së kripto-valutave.
Ky hap mund të nënkuptojë gjithashtu një qasje të reja në drejtim të kripto-valutave nga ana e institucioneve rregullatorë italiane. Lajmi vjen vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të rregullores së re evropiane MiCAR, e cila synon të krijojë një kuadër rregullator dhe për të harmonizuar sektorin. Ndërkohë, gjithçka ndodh vetëm pak ditë përpara inaugurimit zyrtar të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, i cili ka deklaruar se synon ta transformojë SHBA-në në kryeqytetin botëror të kripto-valutave.
Hyrja e Intesa Sanpaolo në botën e kriptove mund të stimulojë gjithashtu edhe shumë investirorë italianë, tradicionalisht konservatorë. Sipas të dhënave, deri në nëntor 2024, rreth 1,35 milionë italianë zotëronin kripto-valuta për një vlerë të përgjithshme 2.2 miliardë Euro. Blerja e realizuar nga Intesa Sanpaolo në orën 11 të së hënës, ndodhi në momentin kur vlera e Bitcoin quotohej në 92.800 dollarë dhe më pas, brenda të njëjtës ditë u ngjit në 94.025 dollarë. /ekofin.al
