Nga dita e sotme hyn në fuqi dhe nisi zbatimi i rregullores së re në tregun e sigurimeve “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Kjo rregullore u miratua në shtator nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe synon aplikimin e primeve të diferencuara të sigurimit për autoveturat në varësi të riskut që mbart çdo i siguruar.
Në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; si dhe vjetërsia e mjetit.
Përveç faktorëve të mësipërm, rregullorja parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të zbatojnë edhe faktorë të tjerë risku, të përcaktuara prej tyre.
Për vitin e parë të zbatimit, duke nisur nga sot, faktori i historikut të dëmeve, ose bonus-malusi, siç është quajtur, do të jetë neutral, në koeficientin 1. Por, drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes, pasi nga sot nis llogaritja dhe ruajtja në databazë e historikut të aksidenteve.
Këta faktorë risku do të përdoren vetëm në përllogaritjen e primit për kategorinë e autoveturave, në produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme), ndërkohë që kjo meyodologji nuk do të aplikohet për produktet e sigurimit kufitar dhe të kartonit jeshil.
Shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas metodologjisë së përcaktuar, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.
Sipas rregullores, shoqëritë e sigurimit nuk mund të aplikojnë tarifa të primit të sigurimit të ndryshme nga ato të raportuara në Autoritet dhe nuk mund t’i ndryshojnë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik.
Gjithashtu, këto tarifa duhet të jenë të publikuara në faqet zyrtare të shoqërive, si edhe në pikat e shitjes. /ekofin.al
