Nga hetimi i pasurive, llogarive bankare, rrjeteve sociale dhe stilit të jetësës, prokurorët e SPAK -ut do të kenë në dorë çdo regjistër të dhënash dhe databazash shtetërore, qoftë financiare, noteriale dhe sigurimesh.
Ekofin.al disponon udhëzimin e nënshkruar nga Drejtuesi Altin Dumani, ku saktësohet se gjatë zhvillimit të hetimeve penale, në mënyrë paralele kryhet edhe hetimi financiar ose pasuror për personat e dyshuar për kryerjen e veprave penale të cilat gjenerojnë të ardhura.
Hetimi do të fillojë pas identifikimit të subjekteve dhe nëse ekziston një dyshim i arsyeshëm për veprën penale, por disa veprime të caktuara gjatë hetimit mund të shtyhen në një moment të mëvonshëm nëse rast se vlerësohet e nevojshme për të ruajtur “sekretin hetimor”.
Gjithashtu, hetimi financiar nuk do të kufizohet vetëm tek autorët e veprës penale, por edhe te persona të tjerë, invididë apo subjekte, të cilët me veprimet e tyre tentojnë të justifikojnë ligjërisht të ardhurat e fituara nga veprimtaria kriminale.
Kur është e mundur, prokurorët mund të identifikojnë vlerën specifike të parave ose të të ardhurave, si dhe numrin dhe llojin e aseteve të fituara në mënyrë kriminale. Ata mund të paraqesin kërkesë për vendosjen e sekuestrimit të pasurisë, si dhe kërkesë për ta konfiskuar atë në bazë të ligjit.
Hetimi i pasurive, mënyrës së jetesës dhe rrjeteve sociale
Janë hetuesit ata që ndërtojnë profilin financiar të personit në hetim apo subjektit të masave parandaluese dhe identifikojnë pasuritë produkt i veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Çfarë përfshihet në profil?
Për të hartuar profilin, prokurorët dhe hetuesit do të mbledhin informacion nga burimet e hapura, motori i kërkimit në internet dhe rrjetet sociale. Këto burime do të përdoren veçanërisht për të përcaktuar rrethin e interesave dhe miqve të individit në hetim, stilit të jetesës, vendet e argëtimit dhe asetet në përdorim.
Në raportin e profilit listohen pasuritë e paluajtshme dhe mënyra e përfitimit të tyre, bizhuteritë, veprat e artit dhe objekte koleksione, tituj ose instrumente që vërtetojnë interesa të tjerë në pasuri, llogaritë bankare, huat dhe kreditë, të ardhura që rrjedhin nga përfitimet e sigurimit të jetës, shumat e fituara në kazino apo baste sportive, qiraja, deri te udhëtimet, duke pasur parasysh qëllimin e tyre, si dhe tarifat e shkollimit.
Në rastet e shitjes së pasurisë së paluajtshme nuk do të mbahet parasysh vetëm çmimi i referencës. Kur ka dyshim për uljen e vlerës, hetuesi kryen analizë për të përcaktuar vlerën e tregut të pasurive në pronësi apo përdorim nga individët nën hetim.
Sa i përket publicitetit, këto të dhëna, qoftë edhe të pjesshme, janë rreptësisht të ndaluara për t’u publikuar. Aktet hetimore janë sekret derisa i pandehuri të mos ketë marrë dijeni për to, thuhet në udhëzim.
Në përfundim të hetimeve të procedimit pasuror, prokurori i kërkon gjykatës konfiskimin e pasurisë nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm për pjesëmarrje në aktivitete kriminale, apo rezulton se pasuria është drejtpërdrejt ose tërthorazi në zotërim të plotë apo të pjesshëm të personave të përfshirë në këto veprimtari, si dhe pasuria nuk ka burim të ligjshëm apo janë në shpërpjesëtim me të ardhurat apo fitimet e ligjshme./ekofin.al

