Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë e varur nga importet, ndërkohë që eksportet kanë shënuar sërish rënie, edhe në shifrat më të fundit të tregtisë me jashtë të publikuara nga INSTAT.
Në Nëntor 2024, Shqipëria ka regjistruar një rënie të eksporteve dhe një rritje të importeve, duke theksuar sfidat dhe tendencat aktuale të tregtisë së jashtme. Të dhënat zbulojnë se eksportet e mallrave arritën në 30 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 8,5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe një rënie prej 2,8% krahasuar me muajin e kaluar. Nën anë tjetër, importet janë rritur sërish, me 2%, duke arritur një vlerë prej 73 miliardë lekësh.
Eksportet dhe importet
Në nivel vjetor, grupet kryesore që kanë kontribuar në rënien e eksporteve për Nëntor janë ato të lidhura me “Materiale ndërtimi dhe metale” (-8,8 pikë përqindje), “Tekstile dhe këpucë” (-3,4 pikë përqindje), dhe “Produkte kimike dhe plastike” (-1,7 pikë përqindje). Megjithatë, disa grupe kanë kontribuar pozitivisht, duke përfshirë “Ushqime, pije, duhan” (2,5 pikë përqindje) dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” (1,4 pikë përqindje).

Në aspektin e importeve, grupet që ndikuan negativisht në rritjen e tyre për Nëntorin 2024 janë “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” (-1,7 pikë përqindje) dhe “Tekstile dhe këpucë” (-1,1 pikë përqindje). Ndërkaq, grupet që kontribuan pozitivisht janë “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” (+2,5 pikë përqindje) dhe “Produkte kimike dhe plastike” (+1,2 pikë përqindje).
Në nivelin e njëmbëdhjetëmujorit, eksportet kanë pësuar një rënie më të madhe prej 13,9%, ndërsa importet janë rritur me 2,0%. Defiçiti tregtar për periudhën Janar-Nëntor 2024 ka arritur në 469 miliardë lekë, duke u rritur me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /ekofin.al
