Viti i mirë turistik për Shqipërinë, është përkthyer edhe në më shumë të ardhura nga turistët e huaj. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në 3-mujorin e tretë të vitit 2024, që përkon edhe me periudhën e pikut të sezonit turistik, të huajt shpenzuan rreth 1.9 miliardë Euro, ose rreth 15% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave publike, deri në shtator të këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar 8.3 milionë vizitorë të huaj. Muaji shtator ka patur në veçanti rritje të konsiderueshme, ku 1,1 milionë të huaj vizituan Shqipërinë, ose rreth 30% më shumë sesa viti i kaluar.
Në total, për 9-mujorin, të hyrat në ekonominë e vendit nga turistët e huaj rezultojnë të jenë rreth 3.85 milionë Euro. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shifra ishte 3.2 miliardë Euro.
Në anën tjetër, edhe shqiptarët kanë rritur shpenzimet e tyre të bëra jashtë vendit, për pushime. Në tre-mujorin e tretë të vitit, periudha që përkon edhe me pushimet verore, shqiptarët shpenzuan rreth 878 milionë euro, që është shifra më e lartë e raportuar ndonjëherë për një 3-mujor.
Në total, për 9-mujorin, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit arritën në mbi 2 miliardë Euro. Përgjatë vitit të kaluar, u shpenzuan në total 2.33 miliardë Euro nga qytetarët shqiptarë për pushime jashtë vendit. Sipas trendit, ky vit pritet të shënojë shifra rekord edhe sa i përket shpenzimeve të shqiptarëve jashtë. /ekofin.al
