Investimet e huaja direkte po ruajnë një ritëm të lartë përgjatë këtij viti, duke projektuar tejkalimin për herë të parë të kufirit prej 1.5 miliardë Eurosh.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e investimeve të huaja direkte për 3-mujorin e tretë të vitit ishte 411 milionë Euro, me një rritje shumë të vogël krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në total, për 9 muajt e parë të këtij viti, investimet e huaja direkte arritën në 1.16 miliardë Euro, ose rreth 6.6% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Gjatë viteve të fundit ka patur një rritje të interesit të të huajve për të investuar në sektorin imobiliar, me blerjen e pasurive të paluajtshme dhe ky trend ka sjellë një rritje të konsiderueshme edhe të shifrave të investimeve të huaja direkte. Gjithashtu, sektorë atraktivë për investimet e huaja vlerësohen edhe energjia, sektori financiar, si edhe hidrokarburet.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, ritmi i rritjes së investimeve të huaja direkte ishte edhe më e i lartë, duke arritur në 749 milionë Euro në fund të qershorit, ose 8% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, kjo rritje u ndikua nga flukset e reja të kapitalit dhe riinvestimet e fitimeve nga investitorët ekzistues. Fitimet e riinvestuara kanë luajtur rol të konsiderueshëm në rritjen e stokut të investimeve të huaja direkte dhe ato janë realizuar kryesisht në sektorin imobiliar. /ekofin.al
