“K’cimi i Tropojës” u shpall zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.
Pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguaj, “K’cimi i Tropojës” është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Kryeministri Edi Rama në një postim në “Facebook” shkruan se ky është një lajm i bukur për promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie deri dje të braktisur nën pluhurin e harresës.
“MIRËMËNGJES dhe me lajmin e bukur se “K’cimi i Tropojës” shpallet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, si edhe me kënaqësinë e progresit të kësaj dekade për shpëtimin, rilindjen e promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie deri dje të braktisur nën pluhurin e harresës, ju uroj një ditë të mbarë” shkruan Rama.
“K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që ka ruajtur vitalitetin e tij ndër shekuj. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive. Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës”.
Regjistrimi i këtij elementi në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s ndihmon në promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e mbrojtur atë për brezat e ardhshëm.
