Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka përmbyllur nismën “Investors Support Days”, një platformë e dedikuar për mbështetjen dhe fuqizimin e investitorëve vendas dhe të huaj.
Ky aktivitet synoi krijimin e urave të reja të bashkëpunimit, lehtësimin e procesit të investimeve dhe promovimin e potencialeve të Shqipërisë në sektorë kyç si turizmi, energjia, bujqësia dhe teknologjia.
Gjatë muajve tetor-nëntor në bashkëpunim me MEKI, MF, MIE, AKPA, AKBN, AIC pranë AIDA u zhvilluan tryezat e rrumbullakëta me kompani gjermane, italiane, turke, greke, franceze, austriake dhe hungareze.
Përveç institucioneve të qeverisjes qendrore, kjo iniciativë pati dhe prezencën e ambasadave të Gjermanisë, Italisë, Turqisë, Greqisë, Francës, Austrisë dhe Hungarisë.
Gjithashtu pjesë e saj ishin dhe shoqatat dhe dhomat e biznesit, si Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë, Confindustria, MUSIAD, Shoqata Greke e Biznesit në Shqipëri si dhe Advantage Austria.
Në këtë tryezë morën pjesë 120 kompani. Për problematikat e raportuara, AIDA po i ndjek me prioritet së bashku me institucionet përkatëse, deri në zgjidhjen përfundimtare.
Në takimin përmbyllës, drejtuesit e AIDA-s theksuan rëndësinë e një klime miqësore ndaj investimeve, duke prezantuar reformat e fundit ligjore dhe masat mbështetëse të ofruara nga qeveria. Përfaqësuesit e biznesit patën mundësinë të ndanin përvojat dhe pritshmëritë e tyre, ndërsa diskutimet praktike ndihmuan në identifikimin e zgjidhjeve konkrete për sfidat e hasura.
“Investors Support Days është një dëshmi e përkushtimit tonë për të mbështetur investitorët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit. AIDA do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm në çdo hap të udhëtimit të tyre,” u shpreh drejtoresha ekzekutive e AIDA-s, Laura Plaku (Saro).
