Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet lidhur me një skemë të mashtrimit kompjuterik dhe pastrimit të parave që ka shkaktuar dëm mbi 2 milionë euro.
Hetimi trevjeçar, i realizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe partnerët europianë, zbuloi se skema përfshinte platforma fiktive investimesh si “CFD-Tradingplattform” dhe “FX-Leader”. Viktimat mashtroheshin të investonin përmes qendrave të thirrjes (call center) që operonin në Tiranë, duke përdorur faqe si “fx-leader.com”. Fitimet ishin virtuale, ndërsa depozitat zhdukeshin.
Në skemë ishte përfshirë një shtetas izraelit, Rafael Genish, si drejtues i aktivitetit, dhe 38 shqiptarë të cilët kryenin mashtrimet në grup. Paratë e fituara pastroheshin përmes transfertave fiktive në banka të vendeve me risk të lartë për pastrim parash, si Lituania, India dhe Malta.
Provat përfshijnë dokumente, skedarë me kontakte të viktimave dhe përdorimin e platformave si PayPal, Binance dhe Coinbase për menaxhimin e transaksioneve. Prokuroria ka ngritur akuza për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” kundër të gjithë të implikuarve.
Izraeliti Rafael Genish nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2021, Gjykata e Tiranës i caktoi masën e arrestit në burg për shkak të mashtrimit me anë të FOREX. Në atë kohë Genish mohoi akuzën duke thënë se biznesi i tij ishte i ligjshëm, por letërporosia e autoriteteve gjermane zbuloi se në rrugën ‘Myslym Shyri’ kryhej një nga vjedhjet më të mëdha me investime të rreme në bursë përmes Forex. Genishit iu sekuestrua ‘RG Company, ambientet ku ushtrohej Call-Center dhe qindra pajisje.
