Qeveria ka miratuar sot skemën mbështetëse për arritjen e objektivit kombëtar për burimet e rinovueshme të energjisë në sektorin e ngrohjes dhe ftohjes. Mbështetja financiare do të jepet në formën e mbështetjes në investim dhe do të mbulojë vetëm një pjesë të kostos së nevojshme për blerjen dhe instalimin e teknologjive të nevojshme.
Vlera dhe lloji i masës mbështetëse ndryshohen periodikisht, të paktën çdo dy vjet, në varësi të një analize të detajuar të bazuar mbi kosto-përfitimin dhe zbatueshmërinë për çdo teknologji përkatëse.
Kërkesat minimale dhe financimi i teknologjisë përkatëse që shfrytëzon burime të rinovueshme energjie janë:
Për sistemet diellore të ngrohjes së ujit:
-financimi përfshin 70% të vlerës së investimit, llogaritur për një vlerë maksimale investimi prej 140 000 (njëqind e dyzet mijë) lekësh, pa TVSH;
-sipërfaqja e kolektorëve deri në 6 m2;
-kapaciteti i depozitës deri në 300 litra;
-eficienca e sistemit mbi 50%.
Për kaldajat me biomasë ose biokarburant:
-financimi përfshin 20% të vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, pa TVSH;
-fuqia nominale deri në 16 kWt;
– konsumi i lëndës djegëse deri në 5 kg/orë;
– eficienca e kaldajës mbi 85%.
Për pompat e nxehtësisë (ajër, ujë, gjeotermale):
– financimi përfshin 20% të vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 600 000 (gjashtëqind mijë) lekësh, pa TVSH;
– fuqia nominale deri në 20 kWt;
– koeficienti i performancës mbi 4.5;
Për ngrohjen dhe ftohjen qendrore në banesa:
– financimi përfshin 30% të vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 3 000 000 (tre milionë) lekësh, pa TVSH;
– fuqia nominale mbi 250 kWt;
– koeficienti i performancës mbi 2.
Operatorët ekonomikë që duan të jenë pjesë e ofruesve të kësaj skeme duhet të jenë subjekte që ushtrojnë veprimtari në fushën e burimeve të rinovueshme dhe të vërtetojnë që nuk kanë detyrime tatimore të pashlyera. Sa I përket kriterit teknik, duhet të garantojnë se garancia e pajisjes së ngrohjes/ftohjes është në përputhje ose më e madhe sesa koha e përcaktuar në urdhrin e ministrit dhe të disponojnë skedën teknike të instalimit termik, sipas kritereve teknike të kërkuara.
Oferta financiare do të jetë detyruese dhe ofertuesi nuk mund të lëshojë faturë me çmim të ndryshëm nga oferta e paraqitur për çdo aplikues në varësi të qytetit ku do të ushtrohet veprimtaria.
Vendimi i ngarkon operatorët me detyrimin për të disponuar një deklaratë përgjegjësie për çdo kontrate shitjeje, sipas së cilës pranojnë kryerjen e shërbimit kundrejt konsumatorëve familjarë nga shitja deri te kolaudimi i sistemit termik, brenda afatit të përcaktuar në urdhrin e ministrit.
Ndërsa, klientët familjarë, që kërkojnë të aplikojnë për përfitimin e mbështetjes për realizimin e investimit, duhet të paraqesin dokumente të cilat vërtetojnë se konsumi mesatar i energjisë për vitin paraardhës është më i madh se 400 kWh për çdo muaj. Gjithashtu duhet të paraqesin raportin e auditimit energjetik sipas ligjit për eficiencën e energjisë.
Nga kjo skemë nuk përfitojnë ata që i kanë banesat në proces legalizimi ose që janë debitorë ndaj OSHEE/ FSHU ose që nuk kanë paguar të gjitha taksat vendore./ekofin.al
