Me votim të fshehtë të enjten Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Ahmet Ismailin guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.
Ahmet Ismaili mori 56 vota për ndërsa kundërkandidati i tij, Lulzim Ismajli mori 4 vota.
“Konstatoj që Kuvendi i Kosovës e zgjedh zotëriun Ahmet Ismalin si guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Sipas procedurave, emri i guvernatorit të BQK-së do të shkojë për dekretim të presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Më 7 prill 2023, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i kishte rekomanduar Kuvendit që procesi të kthehej në pikën zero.
Ky rekomandim nuk ka shkuar në seancë për votim. Pavarësisht kësaj BQK-ja kishte shpallur konkursin e dytë për guvernator të BQK-së.
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere të hënën ka votuar listën me dy kandidatë për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.
Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli të dalë nga konkursi i dytë.
Kush është Ahmet Ismaili, guvernatori i ri i Bankës Qendror të Kosovës?
Ahmet (Vehbi) Ismaili u lind në Podujevë, ku e ka kryer edhe shkollën fillore dhe te mesme.
Studimet universitare i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Ekonomik, në Drejtimin Banka dhe Financa, me ç’rast për rezultatin e lartë të studimeve mori edhe çmimin ‘Student i Dalluar’ nga Universiteti i Prishtinës.
Është doktor i shkencave ekonomike, në drejtimin Banka dhe Financa, po në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Karriera e tij profesionale përmban mbi 18 vjet përvoje pune profesionale dhe në nivele të larta drejtuese dhe me rezultate të rëndësishme, në industrinë financiare dhe sektorin publik.
Aktualisht, është Drejtor Menaxhues dhe Anëtar Bordi i institucionit të pavarur Fondi i Kosovës për Efiçience të Energjisë, ndërsa paraprakisht ishte edhe Anëtar Bordi dhe Anëtar i Komitetit te Auditimit në Fondin për Sigurimet Shëndetësore.
Sa i përket anës akademike, ka përvoje si ligjërues rreth 8 vite në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Ekonomik, si dhe Universitete tjera të akredituara në Kosovë, si në nivelin e Bachelor dhe Master, në lëndët si: banka dhe afarizëm bankar, menaxhmeti financiar, analize financiare, etj.

