Rregullores së Planifikimit të Territorit do t’i shtohet një plan i ri zhvillimi, ai i Hapësirës Detare, sipas vendimit të Qeverisë që pritet të botohet në Fletoren Zyrtare.
Plani Kombëtar i Hapësirës Detare ka për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve dhe përdorimeve përkatëse të hapësirave detare, të tashme dhe të ardhshme, përshirë akuakulturën, peshkimin, energjinë nga burimet detare, transportin, natyrën dhe biodiversitetin, turizmin dhe nxjerrjen e lëndës së parë.
Hartimi i këtij plani do të përmbajë krahas një analize të detajuar dhe përcaktimin e kufirit të hapësirës së territorit, dhe dokumente që përcaktojnë zonat e rëndësisë kombëtare, nëse do të ketë të tillë.
Ekspertët e grupit të punës do të duhet të paraqesin gjithashtu analizën e dokumenteve të planifikimit të shteteve fqinje për zonat ndërkufitare, si dhe përcaktimin e saktë në planifikim të përdorimit dhe ndërveprimit të hapësirave detare, mjedisit detar dhe territoreve tokësore të lidhura me detin, të cilat mund të përfshijnë kërkimin shkencor.
Në kuadër të procesit të planifikimit dhe menaxhimit, bashkëpunohet me shtetet anëtare që kufizohen me ujëra detare, me qëllim për të garantuar që planet hapësinore detare të jenë koherente dhe të koordinuara në të gjithë rajonin detar shqiptar. Një bashkëpunim i tillë merr parasysh, në veçanti, çështjet me natyrë ndërkufitare. Bashkëpunimi do të realizohet nëpërmjet strukturave ekzistuese të bashkëpunimit institucional rajonal, të tilla si konventat rajonale detare; si dhe rrjeteve ose strukturave të autoriteteve kompetente të shteteve anëtare.
Vendimi i Këshillit Kombëtrar të Territorit dhe Ujit botohet në regjistër dhe në çdo rast edhe në faqen zyrtare të sekretariatit të KKTU-së, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e miratimit. Pas botimit në regjistër të vendimit të KKTU-së dhe dokumenteve shoqëruese të tij, autoriteti kombëtar i planifikimit të territorit bën kërkesë për miratimin e planit në Këshillin e Ministrave. Dokumenti i Planit Kombëtar të Hapësirës Detare (PKHD) i miratuar i njoftohet Komisionit Evropian.
Plani Kombëtar i Hapësirës Detare (PKHD) hyn në fuqi pas miratimit nga Këshilli i Ministrave dhe botimit të plotë të dokumenteve të tij në “Fletoren zyrtare”. Rishikimi i tij bëhet sa herë është i nevojshëm, por të të paktën çdo dhjetë vjet./ekofin.al
