Një operacion policor po zhvillohet në Tiranë e Shkodër kundër një rrjeti të gjerë mashtrimi ekomonik me kriptomonedha. Janë lëshuar 20 masa sigurie të firmosura nga prokuroria e Tiranës, mes tyre 6 pronarë të pikave të këmbimit valuator që thyenin kriptomonedhat në ambientet e tyre, ndërkohë që një gjë e tillë nuk është e ligjshme. Ndërsa personat e tjetë janë bashkëpunëtorët e tyre, ose individë që e reklamonin në rrjete sociale se bënin shkëmbim me kriptomonedha.
Operacioni është në vijim dhe deri më tani janë arrestuar 17 persona. Kontrollet janë bërë në Vorë, Laknas, Kamez, Fushë Krujë, Mëzez, Kashar, Fresk, dhe në lagje të tjera të Kryeqytetit. Policia dhe Prokuroria po ushtrojnë kontrolle edhe në pikat e shkëmbimit valutor, exchange.
Njoftimi paraprak i Policisë së Shtetit për operacionin:
“Në përgjigje të interesit të medias, mbi një operacion policor, aktualisht në zhvillim, ju sqarojmë se: Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda speciale, po zhvillohet sot, operacioni policor i koduar “USDT-1”.
Zhvillimi i këtij operacioni, rezultat i punës së mirëorganizuar të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik së DPPSh-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër.
Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash. Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët./Shqiptarja
