Në kulmin e diskutimeve për skemën publike të pensioneve, e cila gjithnjë e më shumë po rezulton se nuk po siguron të ardhurave të mjaftueshëm për pensionistët për përballimin e kushteve të jetesës, duket se pensionet private po marrin gjithnjë e më shumë hov.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në fund të 3-mujorit të tretë të vitit, asetet e fondeve private të pensioneve arritën në mbi 7.7 miliardë lekë, duke u rritur me 1 miliardë lekë, ose 15% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2023.
Kjo është në fakt, një nga rritjet më të mëdha që pësojnë asetet e fondeve private të pensioneve në vitet e fundit, ndikuar edhe nga një periudhë favorizuese në interesat e letrave me vlerë të Qeverisë, të cilat tani kanë nisur trendin rënës.
Rritja ka shënuar edhe numri i anëtarëve në këto fonde, duke arritur në fund të shtatorit në 43,375 persona, ose 13.61% më shumë sesa fundi i vitit 2023. Sa i përket, ndarjes së tregut, janë dy fonde pensionesh që zotërojnë 70% të aseteve, ndërsa 4 fondet e tjera ndajnë mes tyre 30% të aseteve. Sigal mbetet prej vitesh fondi kryesor sa i përket vlerës së aseteve, ndjekur nga Credins Pensions.
Në nëntor të vitit të kaluar hyri në fuqi ligji i ri për fondet private të pensionit, i cili ndër të tjera parashikon edhe lehtësi tatimore për përfshirjen në këto skema. Kështu, të ardhurat deri në nivelin e pagës minimale, pra 40.000 nuk tatohen, nëse përfshihen në fondet private të pensioneve. Gjithashtu, edhe në dalje, në rast se këto fondet tërhiqen në mënyrë graduale, ato përfitojnë lehtësi, duke mos u tatuar. /ekofin.al
