Këshilli i Ministrave ka hedhur për konsultim Publik Strategjinë e Specializimit Inteligjent 2024-2030, hartimi për të cilën ka nisur në vitin 2016.
Disa faza kryesore të zhvillimit të Strategjisë S3 përfshijnë analizën dhe hartëzimin (Mapping) të Potencialit Ekonomik të vendit, më konkretisht fushat ku Shqipëria ka përparësi konkurruese dhe potencial për zhvillim, ku ndër prioritetet identifikohen bujqësia, pyjet, peshkimi, energjia, turizmi dhe shërbimet mbështetëse.
Ndërsa Procesin e Zbulimit Sipërmarrës (EDP) i cili ka qenë një komponent thelbësor i strategjisë, duke synuar të përfshijë të gjithë aktorët kryesorë – qeverinë, sektorin privat, akademinë dhe shoqërinë civile për të përcaktuar qartë fushat me potencial për zhvillim të qëndrueshëm.
Qeveria synon gjithashtu përmirësimin e arsimit përmes inovacionit, fuqizimin e të rinjve dhe mbajtjen e talenteve për të zhvilluar potencialin e tyre dhe për t’u ndier të motivuar të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit, thuhet në relacion. Ndërsa, për sa u përket shqiptarëve të diasporës, synohet angazhimi i tyre për të sjellë përvojë dhe investime në sektorët prioritarë, duke përfshirë kthimin e talenteve dhe fuqizimin e lidhjeve ekonomike me tregjet ndërkombëtare.
Prioritet i rëndësishëm është energjia e rinovueshme dhe burimet natyrore. Shqipëria synon të arrijë qëndrueshmërinë mjedisore dhe rritjen e ekonomike, por njëkohësisht për të qenë një aktor i përgjegjshëm në skenën globale për të luftuar ndryshimet klimatike.
Kryefjala e Strategjisë është turizmi i qëndrueshëm dhe i larmishëm dhe në mbështetje të tij edhe zinxhiri ushqimor i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm. Për këta sektorë Qeveria do të mbështesë përmirësimet e infrastrukturës, proceset e marketingut dhe projektet e bazuara në komunitet, që përmirësojnë përvojat e vizitorëve dhe nxisin zhvillimin ekonomik vendor.
Buxheti total i vlerësuar për Strategjinë është 1,263,424,816 euro, nga të cilat 203,086,256 euro (31%) do të jenë fonde të Bashkimit Evropian dhe 472,946,356 nga buxheti aktuali i shtetit ose 37.4 % të llogaritur tashmë në Programin Buxhetor Afatmesëm trevjeçar (PBA) për 2024-2026.
Kjo nismë ecën në të njëjtën linjë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat janë duke zhvilluar Strategjitë e tyre S3 dhe në këtë kontekst çmohet marrja e iniciativave dhe përpjekjeve bashkëpunuese ndërmjet palëve të interesit. Ideja është që çdo vend të specializohet në një fushë ku ka më shumë përparësi dhe potencial për sa i përket burimeve dhe kapitalit njerëzor, duke i mundësuar rajonit të përfitojë dhe të rrisë avantazhin e tij konkurrues.
