Nxënësit që do të mësojnë një profesion, do të përfitojnë edhe një pagesë për punën e kryer gjatë formimit profesional.
Qeveria ka vendosur rregulla të veçanta për lidhjen e kontratës së mësimit të profesionit, të cilat janë publikuar në Fletoren Zyrtare. Përzgjedhja e punëdhënësve bëhet nga radhët e bizneseve që kanë të paktën 3 vjet që operojnë në fusha që lidhen me kualifikimet dhe profilet që ushtron institucioni ofrues i formimit profesional, si dhe kanë të paktën 2 punëmarrës të deklaruar.
Punëdhënësit duhet të vetëdeklarojnë se janë të gatshëm të vendosin në dispozicion infrastrukturën e nevojshme, si: pajisje, materiale pune dhe vende vakante pune, në funksion të zbatimit të kontratës së punës për mësimin e profesionit. Gjithashtu, jo më vonë se 3 muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me institucionet e formimit profesional për ofrimin e arsimit të dyfishtë, duhet të kryejnë një trajnim për udhëheqjen e nxënësve që mësojnë profesionin.
Institucionet që ofrojnë formimin profesional, pasi përzgjedhin punëdhënësin, do të kërkojnë miratimin për lidhjen e marrëveshjes në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe të Aftësive.
Mosha minimale për nënshkrimin e një kontrate për mësimin e profesionit në një program për përfitimin e
kualifikimit profesional në formën e dyfishtë është 16 vjeç. Kontrata duhet të jetë në përputhje me rregullat e Kodit të Punës, si dhe duke gëzuar edhe mbrojtjen ligjore që gëzon çdo nxënës e çdo fëmijë nën moshën madhore, që punon në vendin tonë.
Paga minimale për mësimin e profesionit në shkallë vendi është sa 30% e pagës minimale mujore në shkallë vendi dhe, pagesa për nxënësin që mëson profesionin, për punën e kryer gjatë zbatimit të kontratës, nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale për mësimin e profesionit. Kjo pagesë, për nxënësit deri në moshën 25 vjeç, nuk përllogaritet si e ardhur e familjes, në kuptimin të asistencës sociale dhe trajtimit me ndihmë ekonomike.
Nxënësit që mësojnë profesionin kanë të drejtë të transferohen nga një punëdhënës, që zbaton kontratën e mësimit të profesionit në formën e dyfishtë, në një tjetër, si dhe nga një program për përfitimin e kualifikimit profesional në formën e dyfishtë në një program me bazë shkollën brenda të njëjtit kualifikim./ekofin.al
