Ndërtimi i çative të pashfrytëzueshme në zonat rurale nuk do të ketë nevojë për leje ndërtimi. Këshilli i Ministrave ka vendosur disa ndryshime në “Rregulloren e Zhvillimit të Territorit”.
Ndërtimi i çative duhet të bëhet duke respektuar standardet teknike të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit, e cila brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e vendimit, do të duhet të përcaktojë këto standarde.
Vendimi përcakton gjithashtu se për lejet e zhvillimit që miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, në rastet e aksesit në tokat në pronësi të shtetit, që nuk janë të zëna me objekt dhe që nuk janë në administrim të institucioneve shtetërore, si dhe të patransferuara te njësitë e vetëqeverisjes vendore, leja e zhvillimit përmban edhe aksesin në këto prona, me përjashtim të pronave shtet për llojin e resursit “arë”, “ullishtë”, “pyll” dhe “kullotë”, pa pasur nevojë për një miratim nga pronari shtet.
Sipas përcaktimit në rregulloren aktuale, sa i përket veçorisë së lejeve të ndërtimit, ajo është e transferueshme, me ndryshimin e subjektit përfitues të lejes së ndërtimit dhe kryhet nga autoriteti që ka miratuar lejen, me kërkesë të subjektit të pajisur me leje ndërtimi. Tashmë, me ndryshimin e rregullores, nëse ndryshon pronësia e shumicës së pjesëve/aksioneve të shoqërisë tregtare, në favor të së cilës është lëshuar leje ndërtimi, subjekti zhvillues njofton nëpërmjet sistemit e-leje autoritetin e zhvillimit të territorit që ka miratuar lejen.
Për lejet në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit, njoftimi i drejtohet sekretariatit të KKT-së. Për efekt njohës, autoriteti përkatës i bën me dije subjektit zhvillues, nëpërmjet sistemit e-leje konfirmimin për vijimin e punimeve. Kur subjekti zhvillues nuk ka paraqitur më parë kërkesën për njoftim sipas përcaktimeve të kësaj dispozite, autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit ka të drejtë të refuzojë lëshimin e certifikatës së përdorimit.
Qeveria ka vendosur gjithashtu në lidhje me llojet e zhvillimit kompleks, për vendimmarrjen e të cilave është përgjegjës Këshilli Kombëtar i Territorit, që rastet e aksesit në tokat në pronësi të shtetit, që nuk janë të zëna me objekt dhe që nuk janë në administrim të institucioneve shtetërore, si dhe të patransferuara te njësitë e vetëqeverisjes vendore, leja e ndërtimit përmban edhe aksesin në këto prona, me përjashtim të pronave shtet për llojin e resursit “arë”, “ullishtë”, “pyll” dhe “kullotë”, pa pasur nevojë për një miratim nga pronari shtet./ekofin.al
