Intesa Sanpaolo Bank Albania, në pronësi të grupit më të madh bankar italian dhe një nga më të rëndësishmit në Evropë, Intesa Sanpaolo Bank, regjistroi një fitim neto prej 26 milionë euro (28.3 milionë dollarë) në nëntë muajt e parë të 2024, krahasuar me fitimin prej 22 milionë eurosh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të ardhurat operative të bankës u rritën në 62 milionë euro në nëntë muajt e parë të vitit deri në shtator, nga 50 milionë euro që ishin në periudhën janar-shtator 2023, referuar rezultateve financiare të konsoliduara të publikuara nga grupi. Depozitat e klientëve arritën në 1.7 miliardë euro në fund të shtatorit, nga 1.6 miliardë euro një vit më parë, ndërsa kredia për klientët u rrit në 600 milionë euro, nga 500 milionë euro.
Kreditë me probleme në Intesa Sanpaolo Bank Albania arritën vlerën më të ulët historike në fund të shtatorit, në 3.3%, shumë më poshtë se mesatarja e tregut bankar në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, Intesa Sanpaolo Bank Albania është banka e katërt më e madhe për vlerë asetesh nga 11 bankat tregtare që operojnë në Shqipëri.

Në nivel grupi, fitimi neto i Intesa Sanpaolo Bank arriti në 7.2 miliardë euro, i vlerësuar si rezultati më i mirë i të gjitha kohërave për bankën. Në deklaratën shoqëruese të rezultateve financiare, CEO i Intesa SanPaolo Bank, Carlo Messina, u shpreh se “rezultatet e nëntë muajve të parë të 2024 riafirmuan pozicionin e Intesa Sanpaolo si një lider evropian”, duke kujtuar se vlera e tregut të Intesa Sanpaolo tani e vendos atë krahas BNP Paribas dhe Santander, pavarësisht se këto banka kanë bilanc më të madh.
“Për vitin 2024, ne presim që të ardhurat neto të kalojnë 8.5 miliardë euro. Objektivi i të ardhurave neto për vitin 2025 është rritur në rreth 9 miliardë euro”, nënvizoi CEO, “duke reflektuar potencialin e konsiderueshëm të rritjes organike të bankës sonë”.
Ndër pikat kryesore të forta të bankës të përmendura nga CEO Messina janë rentabiliteti i lartë, rezultatet e qëndrueshme, kapitali solid, profili me rrezik të ulët, duke i mundësuar bankës të luajë një rol unik në mbështetjen e ekonomisë reale dhe peizazhit social. Gjithashtu, Intesa Sanpaolo Bank ka ulur në 4.7% NPL-të, kreditë e këqija, në një nga vlerat më të ulëta historike për grupin bankar.
Intesa Sanpaolo Bank është e përkushtuar për të trajtuar dhe adresuar me përparësi ndryshimet klimatike. Nga viti 2021 deri më 30 shtator 2024, Banka ka dhënë afërsisht 63 miliardë euro financime të reja për të mbështetur ekonominë e gjelbër dhe tranzicionin ekologjik, duke përfshirë mbi 11 miliardë euro nga viti 2022 në mbështetje të ekonomisë qarkulluese. Për më tepër, vetë banka ka adoptuar qasje 100% green dhe tashmë burimet e energjisë së Bankës në Itali, vijnë tërësisht nga burime të rinovueshme. /ekofin.al
Marrëdhënie me Publikun
