Yieldi mesatar i ponderuar i boneve të thesarit të Qeverisë pësoi një tjetër rënie në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë, zhvilluar ditën e djeshme, duke u barazuar për herë të parë me normën bazë të interesit prej 3%.
Në ankandin e zhvilluar më 15 tetor, yieldi mesatar i ponderuar kishte zbritur në 3.02%, ndërsa tashmë pësoi një rënie të mëtejshme. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë vetëm një herë për të ulur normën e interesit, e cila aktualisht qëndroi në 3% edhe në mbledhjen më të fundit të Këshillit Mbikëqyrës, yieldi i letrave të Qeverisë ka ndjekur një trajektore rënëse.
Rënia e mëtejshme e yieldit ka reflektuar edhe kërkesën e lartë nga ana e investitorëve, ku shuma e shpallur edhe në këtë ankand ishte 8 miliardë lekë, ndërkohë që janë ofruar 11.1 miliardë lekë dhe më tej janë pranuar nga Ministria e Financave 9.2 miliardë lekë.
Deri në fund të vitit, parashikohet të zhvillohen edhe dy ankande për Bono Thesari me maturim 12-mujor, nga një për secilin muaj. Në këto kushte, nisur edhe nga inflacioni në nivele të ulët, pritet një lehtësim i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.
Bonot 12-mujore janë instrumenti që ndikon direkt edhe në interesat e kredive, sidomos ato hipotekore, ndaj kjo ulje pritet të reflektohet direkt edhe në interesa më të ulëta për kreditë bankare për qytetarët. /ekofin.al
