Katër banka tregtare kanë nënshkruar akordimin e një kredie sindikale, më e madhja në vlerë e dhënë ndonjëherë në Shqipëri, për të mbështetur investimin e mëtejshëm të kompanisë turke Ayen AS Energji, e cila ka ndërtuar 3 hidrocentrale në vendin tonë.
Kredia me vlerë 110 milionë euro, akordohet bashkarisht nga Raiffeisen Bank (banka udhëheqëse e sindikatës), Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri, Banka OTP Albania dhe Tirana Bank në favor të kompanisë koncesionare të sektorit energjetik. Kredia do të përdoret në rifinancimin e një linje ekzistuese kredie fillimisht të lëvruar nga një bankë në Turqi, e cila u përdor për ndërtimin dhe operimin e tre hidrocentraleve (HPP): Peshqesh, Fang dhe Diga & Ura e Fanit – të operuara nga Ayen AS Energji SHA, duke shfrytëzuar rrjedhën e ujit nga lumenjtë Fani i Madh dhe Fani i Vogël në veri të Shqipërisë.
Raiffeisen Bank ka akorduar 47 milionë euro, OTP Bank Albania 35 milionë, Intesa Sanpaolo Bank Albania 20 milionë euro, ndërsa Tirana Bank 8 milionë euro.
Drejtuesit e kompanisë turke të energjisë janë shprehur se falë këtij investimi do të sigurohet vazhdimësia e operimit të qëndrueshëm të 3 hidrocentraleve, të cilat kontribuojnë ndjeshëm në prodhimin e energjisë së rinovueshme në vend.
“Raiffeisen Bank është e nderuar që ka udhëhequr këtë proces i cili konfirmon drejtimin dhe ekspertizën tonë në sektorin financiar. Ne mbetemi të angazhuar për të mbeshtetur projekte të mëdha që nxisin përparimin ekonomik dhe ofrojmë zgjidhje financiare të përshtatura për të përmbushur nevojat e klientëve tanë,” tha Elona Mullahi (Koçi), anëtare e Bordit të Korporatave pranë Raiffeisen Bank.
Drejtuesi i Divizionit të Bankingut të Biznesit në OTP Bank Albania, z. Ferid Shijaku, u shpreh se “pjesëmarrja e OTP në kredinë sindikatë për financimin me 110 milion EUR të tre hidrocentraleve të Ayen me shumën prej 35 milion Euro është konfirmimi i interesit të bankës sonë në projektet e energjisë së pastër, si dhe tregues i kapaciteteve të financimit të bankës OTP. Si bankë kemi ndërtuar një portofol të rëndësishëm në financimin e Hidrocentraleve dhe synimet tona janë të shtrihemi gjerësisht në parqet energjitike fotovoltaike, pse jo dhe në ato të erës. Ne shohim me prioritet jo vetëm prodhuesit e energjisë së pastër por dhe investimet të cilat plotësojnë standardet në kursimin e energjisë, tipike ato të ndërtesave, p.sh. hoteleve, banesave apo njësive komerciale”.
Alessandro Grillo, Drejtor i Korporatave dhe SME-ve në Intesa Sanpaolo Bank Albania u shpreh se “përmes këtij transaksioni ne po rikonfirmojmë angazhimin e fortë të bankës sonë për të mbështetur iniciativat në prodhimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe në përgjithësi në kuadrin ESG për rritjen e qëndrueshme të klientëve tanë dhe biznesit tonë.” Intesa Sanpaolo Bank Albania është e përqendruar tashmë prej vitesh në financimin e investimeve të gjelbra dhe të qëndrueshme. Në fillim të këtij muaji, banka që operon në Shqipëri si pjesë e grupit më të madh bankar në Itali, nënshkroi një marrëveshje me BERZH, që do të ofrojë 3 milionë euro për kreditim ndaj shtëpive dhe kompanive të ndërtimit me qëllim nxitjen e investimeve pro kursimit të energjisë dhe me materiale pro mjedisit. /ekofin.al
