Ndryshimet ligjore për audituesit tashmë do t’i nënshtrohen diskutimeve dhe procedurave parlamentare, përpara miratimit të parashikuar brenda këtij viti.
Disa prej ndryshimeve themelore të propozuara në ligjin nr. 10091, datë 05.03.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, kanë të bëjë me përditësimin e kritereve të njësive ekonomike, që janë të detyruara të kryejnë auditimin ligjor.
Më konkretisht, do të detyrohen të kryejnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore, individuale apo të konsoliduara, përpara publikimit të tyre: të gjitha njësitë ekonomike dhe grupet e njësive ekonomike me interes publik; të gjitha njësitë ekonomike dhe grupet e njësive ekonomike, të cilat, në mbyllje të periudhës kontabël, për dy vjet radhazi, tejkalojnë dy prej tre treguesve të mëposhtëm: totalin e aktiveve të bilancit, në mbyllje të periudhës kontabël përkatëse, arrin ose e kalon shumën prej 50 milionë lekësh; shuma e të ardhurave nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi) në atë periudhë kontabël arrin ose e kalon shumën prej 100 milionë lekësh; ka, mesatarisht, të paktën 50 të punësuar gjatë periudhës kontabël.
Gjithashtu, të gjitha njësitë ekonomike dhe grupet e njësive ekonomike të klasifikuara sipas legjislacionit në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, përkatësisht si njësi ekonomike dhe grupe të njësive ekonomike të vogla e të mesme, mund të kryejnë auditimin nëpërmjet audituesve ligjorë apo shoqërive audituese. Ndërsa njësitë e klasifikuara të mëdha dhe NJEIP, detyrohen ta kryejnë auditimin vetëm nëpërmjet shoqërive audituese. Për shoqëritë audituese, që angazhohen në auditimin e njësive ekonomike të mëdha dhe NJEIP, do të përcaktohen kritere shtesë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Një element i rëndësishëm që vjen si risi, mbështetur në direktivat e BE, lidhur me auditimin ligjor dhe të kontabilitetit të sektorit privat është përfshirja e detyrimit ligjor për audituesit ligjorë të dhënies së sigurisë për raportimin e qëndrueshmërisë (sipas direktivës përkatëse të kontabilitetit, raporti do të përgatitet nga njësitë ekonomike të mëdha, duke hyrë në fuqi gradualisht deri në vitin 2028).
Gjithashtu, bazuar në analizat e kryera në lidhje me njësitë që duhet të përgatisin këtë raport, rezulton se janë rreth 50 njësi të tilla, prej të cilave shumica e përgatisin aktualisht, duke qenë 6 pjesë e grupeve ekonomike të mëdha dhe që kërkojnë një raportim të tillë.
Përmirësimi dhe rregullimi i auditimit ligjor të pasqyrave financiare të entiteteve ekonomike ka rëndësi të veçantë për faktin se nëpërmjet këtij procesi sigurohen pasqyra financiare të besueshme dhe transparante, të cilat janë të domosdoshme për të gjitha palët e interesuara si: administrata shtetërore, sistemi bankar dhe financiar, si dhe vetë bizneset./ekofin.al
