Zbardhet projektbuxheti i vitit të ardhshëm, hartuar nga Ministria e Financave.
Bazuar në këtë dokument, të ardhurat e projektuara vlerësohen në 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë ose 0.2% e PBB më shumë.
Shpenzimet e parashikuara në Buxhetin e vitit të ardhshëm janë 822.7 miliardë lekë ose rreth 31.4% e PBB-së, 51.4 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2024.
Deficiti buxhetor për vitin 2025 planifikohet të jetë në nivelin 2.6 për qind të PBB-së dhe parashikohet të ulet më tej duke arritur në 1.4 përqind të PBB në vitin 2027.
Financat parashikojnë që borxhi publik bruto do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal. Në vitin 2024 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3 për qind të PBB-së dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 55.8 për qind në vitin 2025. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55.0 për qind në vitin 2026.
Parashikohet në afatmesëm që financimi i investimeve publike të jenë mesatarisht sa 6.1% e PBB-së.
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2025, janë parashikuar në masën 89.9 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% më shumë se buxheti i vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025, zënë 3.43% të PBB-së nga 2.9 që zinin në vitin 2024. Transferta e pakushtëzuar për vitin 2025, krahasuar me vitin 2024 është 1.8 miliardë lekë më shumë ose rreth 7.6% më e lartë.
Sa i përket zërave kryesore të të ardhurave, nga totali prej 754.65 miliardë lekë të projektuara, 709.85 miliardë janë të ardhurat tatimore dhe brenda tyre të ardhurat që projektohet të mblidhen nga tatimet dhe doganat janë 499.18 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet për sigurimin shoqëror dhe sigurimin shëndetësor, planifikohen të jenë rrth 169 miliardë lekë.
Sa i përket shpenzimeve, nga totali prej 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e PBB-së, shpenzimet e personelit për vitin 2025 janë rritur për shkak të efektit të rritjes së pagave, me 40 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet totale për pagat në administratën publike në nivel qendror për 86,038 punonjës planifikohen në masën 127.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së. /ekofin.al
