Marrë shkas nga Strategjia Afatmesme e Mbledhjes së të Ardhurave, që është aktualisht në konsultim publik me bizneset dhe grupet e interesit, Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) i ka dërguar Qeverisë një sërë rekomandimesh.
Duke u përqendruar te goditja e fenomenit të nëndeklarimit të pagave, sugjerohet që të rritet pragu i pagave të patatueshme që aktualisht është deri në 40 mijë lekë, si dhe të ndryshojnë fashat e pagave që tatohen me 13% dhe 23%.
Tjetër rekomandim është edhe ngritja e një skeme tatimi mbi të ardhurat të bizneseve të vogla e bazuar jo në xhiro por në fitim. Aktualisht janë të përjashtuar nga tatimi bizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë, dhe nga tatimi mbi fitimin ata që kanë xhiro deri në 14 milionë lekë.
“Duke i mbetur filozofisë se kush fiton (jo qarkullon) më shumë paguan më shumë, klasifikimi i biznesit të bëhet në bazë të fitimit. Kjo e shoqëruar me lehtësim të raportimit/ dokumentimit për bizneset me xhiro të vogël. Duke u tatuar fitimi dhe jo xhiro do të ketë efekt edhe në kërkesën më të madhe për të dokumentuar lëvizjet e mallrave dhe uljen e presionit për të fshehur të ardhurat/qarkullimin”, thuhet në rekomandimin e AmCham.
Sa i takon rishikimit të përjashtimeve nga TVSH-ja dhe lehtësive që mund të bëhen përmes këtij tatimi, Dhoma Amerikane e Tregtisë, propozon që të shikohet mundësia për të aplikuar një normë më të ulët të TVSH-së, për produktet e shportës. Aktualisht në Shqipëri TVSH-së është e unifikuar në 20% për të gjitha produktet ushqimore, ndërkohë që disa vende europiane aplikojnë norma të diferencuara TVSH-je për këto produkte.
Gjithashtu, AmCham i ka sugjeruar Qeverisë të mos shtojë më tej barrën fiskale ndaj bizneseve dhe qytetarëve.
“Anëtarët e Dhomës janë të shqetësuar për kostot e larta që rëndojnë mbi bizneset dhe qytetaret sidomos për tatimin mbi pasurinë, sigurimin nga tërmeti dhe përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit. Duhet bërë një analizë e përgjithshme se si këto ndikojnë bashkërisht në barrën fiskale” thuhet në rekomandimet e bëra.
Gjithashtu, Amcham duke iu referuar deklaratave të fundit për nisjen e një fushate anti-informalitet, thekson se duhet një politikë e qëndrueshme në luftën kundër informalitetit, pasi e shkuara ka treguar se aksionet dhe fushatat periodike nuk kanë funksionuar. /ekofin.al
