Kryeministri Edi Rama, në takimin me komunitetin shqiptar në Nju-Jork, deklaroi se qeveria do të bëjë gjithçka për të përfshirë pensionistët në hapësirën e rritjes ekonomike të Shqipërisë.
“Sot të gjithë kanë paga shumë më të larta. E thashë, në sektorin publik e kemi çuar pagën mesatare 900 euro. Po të shikoni rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar ose GDP-së, siç e dëgjoni ju këtu në Amerikë, ne kemi rritjen më të lartë në të gjithë rajonin, në raport me vetveten. Po kështu të ardhurat për frymë, etj. Mirëpo kjo rritje nuk ka vajtur akoma tek pensionistët, dhe për këtë ne jemi duke u përpjekur aktualisht”, tha Rama.
“Pensionet, ndryshe nga pagat, ndryshe nga të gjitha shpenzimet e tjera të shtetit, janë të lidhura drejtpërdrejt me kontributet e sigurimeve shoqërore të atyre që janë në punë dhe duke qenë se në vite nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, hendeku është bërë shumë i madh. Pensioni që dikush merr sot është faktikisht shuma e kontributeve që dikush tjetër paguan po sot nga paga. Dhe nëse ai dikushi tjetër nuk e paguan, atëherë pensionin duhet ta mbulojë shteti nga taksat”, tha Rama.
“Aktualisht që flasim ne mbulojmë gjysmë miliardi euro çdo vit për të paguar pensionet, sepse ndryshe, nuk del nga sigurimet. Mos harroni që një numër i madh shqiptarësh që kanë shkuar jashtë nuk kanë paguar sigurime shoqërore në Shqipëri. Dhe me të drejtë kthehen dhe thonë “duam të marrin pensionin”, dhe kur shohin pensionin thonë: “Si ka mundësi punova gjithë jetën, çfarë është ky pension?!” – tha Rama.
Për këtë arsye, shtoi kreu i qeverisë, “ne kemi bërë gjithë këtë përpjekje. E kemi gjetur vendin para 10 vitesh vetëm me 1 marrëveshje pensionesh dhe sot kemi mbi 20 marrëveshje dhe kemi arritur të nënshkruajmë dhe marrëveshjen me Italinë, që ishte më e vështira, për të bërë të mundur që gjithë ata që kanë punuar jashtë të marrin pensionin bazuar në sigurimet shoqërore që kanë derdhur jashtë, plus sigurimet shoqërore që kanë derdhur në Shqipëri, kur kanë punuar në Shqipëri”.
“Ajo që po bëjmë është që qysh nga fundi i këtij viti të rrisim në mënyrë të ndjeshme bonusin e fundvitit, që dikur kur ne erdhëm në qeveri ishte 30 mijë lekë, ose 3 mijë lekë të reja. Aktualisht është 5 mijë lekë të reja. 50 euro dhe këtë duam ta rrisim në mënyrë të ndjeshme, ndërkohë që duam të fillojmë një plan rritjeje duke menduar që të vendosim një kusht në ligj që për çdo përqindje të rritjes ekonomike të vendit, një pjesë e rritjes ekonomike t’i shkojë drejtpërdrejt pensionistëve. Ky është plani. Tani, konkretizimi i këtij plani kërkon edhe pak kohë për ta shpallur, dhe pastaj kërkon disa vjet për t’u bërë”, tha Rama.
