Tregu i sigurimeve ka përshpejtuar disi rritjen në muajin shtator, pas ngadalësimit në muajin paraardhës. Referuar të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, primet e arkëtuara për periudhën 9-mujore arritën në rreth 18.3 miliardë lekë, ose 7.36% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. I njëjti trend rritës vihet re edhe sa i përket kontratave të sigurimit, ku në periudhën janar-shtator 2024 janë lidhur 7.7% më shumë kontrata se e njëjta periudhën e vitit të kaluar.
Tregu dominohet nga sigurimi motorik, ku primet gjatë periudhës janar – shtator 2024 arritën mbi 11 miliardë lekë, ose rreth 8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. TPL ka patur një rritje konstante, me 10% të primeve thuajse përgjatë gjithë vitit 2024.
Rritja mbetet e vogël për Kartonin Jeshil, ndikuar kjo edhe nga zhvlerësimi i mëtejshëm i Euros gjatë vitit 2024. Primet në këtë produkt sigurimi u rritën vetëm me 2% në janar-shtator 2024, ndërkohë që kontratat u rritën me rreth 20%, dëshmi se shqiptarët kanë udhëtuar masivisht me makinë jashtë vendit edhe përgjatë muajit shtator, pra pas përfundimit të sezonit veror.
Por nëse Kartoni Jeshil ka shënuar rritje, produkti tjetër i motorrikes, Sigurimi Kufitar rezulton me rënie në janar-shtator 2024, si në vëllim primesh me 11.28%, ashtu edhe numër kontratash, me 11.64%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-shtator 2024 arritën rreth 7.2 miliardë lekë, 6.52% më shume se në periudhën janar – shtator 2023. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.4% krahasuar me 9-mujorin e vitit 2023.
Sigurimi i pronës ka shënuar rritje, edhe pse me vetëm 3.43% në vëllim primesh dhe më pak, vetëm 2% në numër kontratash. Kjo vërteton edhe një herë një nivel të ulët ndërgjegjësimi të qytetarëve dhe bizneseve për të siguruar pronën, edhe pse katastrofat natyrore dhe fenomenët atmosferikë janë të pranishëm në vendin tonë, siç ishte së fundmi përmbytja e Vlorës në shtator. /ekofin.al
