Ministria e Financave ka njoftuar së fundmi se ka përzgjedhur kompaninë ndërkombëtare Dechert LLP si Konsulentin Ligjor, që do të sigurojë shërbimin e konsulencës ligjore në emetimin e pritshëm të Eurobondit.
Kompania me bazë në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara, por me degë në shumë vende të Botës, ka ekspertizë në ligjin anglez dhe atë amerikan të letrave me vlerë, theksojnë Financat në njoftimin e përzgjedhjes së fituesit.
Vlerësimi i ofertave u bë përgjatë periudhës 10-16 tetor, bazuar në kriteret teknike dhe ekonomike, shtojnë më tej Financat. Ende nuk dihet se cila do të jetë shuma që do të paguhet për konsulencën, por ajo do të mësohet pas përpilimit të kontratës me Dechert LLP.
Kjo do të jetë hera e shtatë që Shqipëria del në tregjet ndërkonbëtare, duke emetuar një Eurobond, por këtë herë me kushte edhe më të favorshme, kjo për shkak se së fundmi mori një rritje të vlerësimit edhe nga kompania Moody’s. Rritja me një shkallë në Ba3 pritet të shoqërohet edhe me ulje të kostove të huamarrjes për shtetin shqiptar.
Në kuadrin Makroekonomik e Fiskal 2025-2027 të rishikuar në korrik u specifikua se deri në vitin 2027, planifikohen të tërhiqen dy borxhe, njëri në vlerë 650 milionë euro, i pritshëm në vitin 2025 dhe tjetri 540 milionë euro, i pritshëm në vitin 2027.
Ministria e Financave ka reduktuar huamarrjen e brendshme, sidomos gjatë tre-mujorit të fundit të vitit dhe pritshmëritë janë për emetimin e Eurobondit të rradhës pranverën e vitit të ardhshëm. Megjithatë, duke qënë se 2025 do të jetë vit zgjedhor, nuk përjashtohen mundësitë që Shqipëria të dalë në tregjet ndërkombëtare edhe në fund të këtij viti. Do të jetë ekspertët e Financave, por edhe konsulentët ndërkombëtare ata që do të përcaktojnë përfundimisht periudhën më të mirë.
Në 2010 u emetua eurobondi i parë, me vlerë 300 milionë euro me normë interesi 7.5%, në 2015 u mor borxh 450 milionë euro me normë 4.75%, në 2018 ishte i radhës 500 milionë euro me interes 3.5%, në vitet 2020 dhe 2021 u emetuan eurobondet me nga 650 milionë euro me interesa 3.5% dhe 3.7% dhe i fundit ishte i vitit 2023, me vlerë 600 milionë euro dhe interes 5.9%. Pritet që i shtati të jetë me norma shumë të favorshme, kjo edhe ndikuar nga ulja e normave të interesit në tregjet europiane dhe ato ndërkombëtare. /ekofin.al
