Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) nga Këshilli i Evropës ka publikuar raportin e tij mbi vlerësimin e sistemeve gjyqësore evropiane. Raporti bazohet në të dhënat e vitit 2022 dhe mbulon 44 shtete anëtare të Këshillit të Evropës. Ai ka seksione për secilin shtet, përshirë Shqipërinë, në të cilat mund të gjenden informacione për kohëzgjatjen e shqyrtimit dhe zgjidhjes së një çështjeje civile, penale dhe administrative, si dhe informacion mbi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorët, aksesi në drejtësi, buxheti i ndarë për sistemin e drejtësisë ose mënyra se si zbatohet teknologjia. Raporti jep gjithashtu një pasqyrë të balancës gjinore në gjyqësor, duke vlerësuar numrin e grave gjyqtare, prokurore, kryetare gjykatash dhe kryeprokurore.
Gjetjet e raportit tregojnë se në vitin 2022, buxheti i sistemit gjyqësor në Shqipëri rezulton të jetë 44,032,621 €, që përfaqëson 15,8 € për banor, shumë më poshtë se mesatarja e Këshillit të Evropës (KiE) dhe një nga më të ulëtat në Evropë. Megjithatë, si përqindje e PBB-së në 0,29%, ajo përputhet me mesataren e KiE. Buxheti për gjykatat ishte 9,2 € për banor në 2022, nga 8,3 €. Pavarësisht kësaj rritjeje, Shqipëria ka ende një nga buxhetet më të ulëta të gjykatave për banorë në Evropë.

Ndërsa sa u përket profesionistëve, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vettingut) që ka nisur në vitin 2014 dhe është në vazhdim ka ndikuar në numrin e tyre. Shumë u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen vullnetarisht. Në vitin 2022, Shqipëria kishte dukshëm më pak gjyqtarë se mesatarja e KiE: 11,38 për 100 000 banorë.
Megjithatë, midis 2020 dhe 2022, numri i përgjithshëm i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë u rrit nga 4 në 16. Shqipëria zbatoi reformën e hartës sé re gjyqësore që nisi në vitin 2022 dhe u finalizua në vitin 2023. Ky riorganizim çoi në mbylljen e 18 gjykatave, duke lënë 13 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, së bashku me 1 gjykatë të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe 2 gjykata administrative të shkallës së parë.
Për vitin 2022 vërehet rënie e numrit të profesionistëve, gjyqtarë e prokurorë dhe staf mbështetës, e më konkretisht rezultojnë të jenë 11.4 gjyqtarë/100,000 banorë nga 13.5 në vitin 2012, më poshtë se mesatarja e KIE që është 17.6.
Rënien më të madhe e ka numri i prokurorëve, por kjo edhe për shkak se në sistemin gjyqësor ka më pak prokurorë se gjyqtarë, duke theksuar gjithashtu edhe pasojat e rivlerësimit (vettingut). Në vitin 2022 rezultojnë 7.2 prokurorë për 100,000 banorë krahasuar me 11.7 prokurorë në vitin 2012, edhe kjo më poshtë se mesatarja e vendeve të KIE (10.4).

Ndërsa sa i përket balancës gjinore, rezulton se në vitin 2022 ka një përqindje më të madhe (55%) të gjyqtareve femra krahasuar me vitin 2012 kur mbizotëronte përqindja e gjyqtarëve meshkuj (57%) të cilët mbanin edhe përqindjen më të madhe të drejtuesve të gjykatës 71%, ndërsa në vitin 2022, 56% e drejtuesve të gjykatave janë femra.
Institucioni i prokurorisë vijon të ketë pjesëmarrje më të lartë të meshkujve. Në vitin 2012, 74% e prokurorëve ishin meshkuj përkundrejt pakicës 26% femra. Edhe pas 10 viteve, në prokurori 54% e prokurorëve janë meshkuj, të cilët kanë drejtimin e prokurorive me 91% të pjesëmarrjes.

Raporti vlerëson gjithashtu pagat bruto absolute në fillimin e karrierës dhe në përfundim të saj. Paga vjetore për gjyqtarët në fillim të karrierës është 25,304 euro, përkundrejt 46,812 euro që është mesatarja e KiE, ndërsa prokurorët e nisin me 23,507 euro, përkundrejt mesatares 42,249 euro të KiE. Paga në përfundim të karrierës rezulton për gjyqtarët 32,420 euro, përkundrejt 100,367 euro të mesatares së KiE, ndërsa për prokurorët 31,673 euro, përkundrejt 70,090 euro të mesatares së KiE. /ekofin.al