Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se do të bëhet njohja automatike e viteve të punës përpara vitit 1994 për punonjësit e ish-kooperativave.
Gjatë bisedës me pensionistët për skemën e pensioneve, Rama theksoi se do të bëhet dhe një hap tjetër shumë i rëndësishëm për rreth 40 mijë veta që kanë dalë në pension nga ish-kooperativat.
“Është një histori tjetër dhe janë 3 mijë procese gjyqësore në vit që i hapin nga tronditja. Do të bëjmë një ligj që do të bëjmë një njohje automatike të viteve të punës përpara vitit ’94, që është prapë një barrë direkte për buxhetin, por që në fund të ditës ekonomia po na funksionon dhe rritja ekonomike vazhdon”, tha kryeministri.
Kryeministri u shpreh gjithashtu se plani për rritjen e pensioneve do të bëhet me hapa dhe do të fillojë që në fund të këtij viti për të vazhduar çdo vit duke rritur ambicien dhe duke ngjitur shkallët.
“Do t’i japim gjatë këtyre viteve një kthesë shumë të fortë çështjes së pensionistëve duke e mobilizuar shoqërinë me hir apo pahir, me forcën e ligjit, e duke bërë që çdo kush që fiton para këtu në Republikën e Shqipërisë, atë pjesën që i takon pensionistëve të mos guxojë ta prekë. Se aty fillon i gjithë problemi”, tha Rama.
Ai sqaroi po ashtu se pagat më të larta do të thonë më tepër kontribute për sigurimet shoqërore. “Do të flasim gjatë gjithë këtij muaji me të gjithë pensionistët në të gjithë Shqipërinë, t’i shpjegojmë gjërat mirë, që të gjithë ta kuptojnë që ky është një plan dhe ky plan do të bëhet me hapa dhe do të fillojë që në fund të këtij viti dhe do të vazhdojë çdo vit duke rritur ambicien dhe duke ngjitur shkallët”, theksoi Rama.
