Fiskalizimi, si një nga proceset kryesore për formalizimin e bizneseve dhe luftën ndaj informalitetit, po ecën me ritëm të mirë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se për periudhën janar –15 tetor 2024, numri i faturave të fiskalizuara të lëshuara nga biznesi u rrit me 6%.
Sipas tatimeve, numri i faturave të fiskalizuara të lëshuara nga biznesi gjatë janar – 15 tetor 2024, arriti në mbi 518 milionë. Shifrat në rritje të këtij treguesi flasin për përmirësimin e mbikëqyrjes tatimore në mbledhjen e të ardhurave, duke ulur informalitetin në ekonomi, theksojnë tatimet.
Procesi i fiskalizimit, ose i lëshimit të faturës elektronike, përfshin digjitalizimin dhe modernizimin e faturimit për transaksione me para në dorë ose me likujdime bankare. Për efekt të identifikimit dhe gjurmimit të çdo transaksioni, çdo fature i jepet numri identifikues i veçantë.
Fiskalizimi u implementua duke nisur nga viti 2021 në tre faza. E para përfshiu përpilimin elektronik të faturave tatimore për subjektet që kanë një marrëdhënie shitblerjeje me institucionet shtetërore. Faza e dytë, që nisi zbatimi nga korriku 2021, përfshiu përpilimin elektronikisht të faturave tatimore midis subjekteve private që kanë një marrëdhënie shitblerjeje dhe pagesa/arkëtimi pa para në dorë.
Faza e tretë përfshiu përpilimin elektronikisht të faturave tatimore për subjektet që kanë një marrëdhënie shitblerjeje me subjekte private dhe konsumatorët finale dhe nisi të zbatohej nga shtatori 2021. Në muajt e parë, procesi u shoqërua me disa problematika teknike, edhe për shkak të ngarkesës në sistemet IT të fiskalizimit, ndërsa aktualisht po ecën me ritmin e duhur dhe pa probleme. /ekofin.al
