Normat e interesit të Eurozonës janë ulur për herë të tretë këtë vit. Banka Qendrore Europiane, ashtu siç kishin paralajmëruar më herët edhe disa nga guvernatorët e shteteve të Eurozonës, ka vendosur të ulë normën e saj bazë të depozitave në 3.25%, nga 3.5% që ishte deri më sot.
Këshilli drejtues i BQE-së votoi sërish për të ulur kostot e huamarrjes, pasi inflacioni ra nën objektivin e tij prej 2% muajin e kaluar në vetëm 1.7%.
BQE e argumentoi vendimin për të ulur më tej normat e interesit me “vlerësimin e përditësuar të perspektivës së inflacionit, dinamikës së inflacionit bazë dhe fuqisë së transmetimit të politikës monetare.”
Norma e depozitave përcakton pagesën për kthim për bankat e eurozonës kur ato bëjnë depozita njëditore në sistemin Euro.
Por gjithashtu, ajo ndikon direkt në uljen të interesave të kredive në Euro, si në vendet e Eurozonës, por edhe këtu në Shqipëri, për të gjitha ata që llogaritjet i kanë me Euriborin.
Banka Qendrore Europiane parashikoi gjithashtu se inflacioni do të rritet në muajt e ardhshëm, përpara se të bjerë sërish në objektivin e tij prej 2% vitin e ardhshëm.
“Inflacioni pritet të rritet në muajt në vijim, përpara se të bjerë në objektiv gjatë vitit të ardhshëm. Inflacioni i brendshëm mbetet i lartë, pasi pagat vazhdojnë të rriten me ritme të larta,” vlerësoi BQE. /Përgatiti: ekofin.al
