Zbërthimi i ofertës së turizmit nxori në pah një rritje të dukshme të kapaciteteve të akomodimit, me një rritje të numrit të dhomave dhe shtretërve përkatësisht në 57, 778 dhe 129, 698 në vitin 2023. Megjithatë, mbizotërimi i strukturave akomoduese me qira afatshkurtër paraqet sfida për rritjen e qëndrueshme.
Të dhënat nga tregu i strukturave akomoduese me qira afatshkurtër tregojnë se në vitin 2023, në platforma të ndryshme rezervimi, figuronin mbi 18, 200 njësi me qira afatshkurtër aktive, një rritje kjo me 80% krahasuar me 2022. Këto struktura arritën një okupancë mesatare prej 9,91% në Shqipëri në vitin 2023. Zhvillimi i biznesit të strukturave akomoduese me qira afatshkurtër në vitet e fundit ka kontribuar në ekonominë e familjeve dhe bizneseve të vogla, por gjithsesi ato mbeten bosh për pjesën më të madhe të vitit. Nga ana tjetër, sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, deri në vitin 2023 janë kategorizuar zyrtarisht 1850 struktura, me një ritëm të shtuar të kategorizimeve në tri vitet e fundit.
Parashikimi për 2030 për akomodimin në këto struktura parashikohet 23.121.405 net qëndrimi ose 125% më shumë se viti 2023.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të ardhurat totale nga turizmi arritën një shifër rekord prej 4,1 miliardë eurosh. Kjo përfaqëson një rritje me 46% krahasuar me një vit më parë, duke theksuar kontributin e konsiderueshëm të sektorit të turizmit në ekonomi.
Sektori i akomodimit në Shqipëri ka shfaqur tendenca pozitive, por mbetet nën mesataren rajonale. Ndërkohë që sipas INSTAT, numri i mbërritjeve të turistëve dhe net-qëndrimeve në hotele dhe struktura të ngjashme pësoi një rritje të konsiderueshme, duke arritur përkatësisht në 2,33 milionë dhe 6 milionë në vitin 2023, një rritje me mbi 48% për mbërritjet dhe mbi 56% për net-qëndrimet, krahasuar me vitin 2022.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se statistikat e INSTAT-it marrin në konsideratë vetëm njësitë e regjistruara të akomodimit. Ndërkohë, “Global Data” vlerësoi rreth 30,9 milionë net qëndrime ndërkombëtare në vitin 2023, shifër e cila tregon për një fluks shumë herë më të madh dhe dëshmon se një numër i konsiderueshëm i mbërritjeve të turistëve dhe net qëndrimeve nuk regjistrohen nga INSTAT.
Turizmi në Shqipëri ende paraqet tendenca sezonaliteti, edhe pse viti 2023 dhe 8 muajt e parë të vitit 2024, treguan se turizmi po shtrihet në kohë dhe në territor. Korriku dhe gushti përfaqësojnë gati 40% të totalit të mbërritjeve vjetore. Shumica e këtyre vizitorëve ndërkombëtarë (deri në 95%) vijnë për qëllime pushimesh dhe vendet fqinje si Kosova, Mali i Zi, Greqia dhe Italia përbëjnë tregjet kryesore burimore, duke kontribuar në 63% të totalit të mbërritjeve në vitin 2023. /ekofin.al
