Shqipëria nisi në vitin 2016 zbatimin e reformës në drejtësi me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qëllim garantimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të publikut te institutcionet e këtij sistemi. Komisioni i Venecias e konsideroi rivlerësimin si masë të jashtëzakonshme, tranzitore dhe të nevojshme në kushtet e Shqipërisë.
Por si paraqitet besimi i shqiptarëve në sistemin e drejtësisë tetë vite pas nisjes së kësaj reforme? Në anketën e zhvilluar nga Barometri i Ballkanit të vitit 2024 rezulton se është rritur përqindja e atyre që priren t’i besojnë sistemit gjyqësor në Shqipëri me 49 % nga 40% që ishte krahasuar me vitin 2023, ndërsa 25% e të anketuarve priren të mos i besojnë gjyqësorit. Gjithsesi, shqiptarët kryesojnë sondazhin e besimit, të ndjekur nga serbët me 43% dhe kosovarët me 40%.
Megjithatë, shumica e shqiptarëve nuk besojnë se sistemi gjyqësor është i pavarur nga ndikimi i partive politike (58%). Vetëm 40% e të anketuarve besojnë te pavarësia e gjyqësorit. Ndërsa pyetjes nëse sistemi gjyqësor mund ta bëjë qeverinë të mbajë përgjegjësi përpara qytetarëve, 51% i është përgjigjur pozitivisht, edhe pse me rezultat të ngushtë me 47% të atyre që nuk kanë besim te forca e gjyqësorit.
Ajo që bie në sy është përqindja e ulët e vlerësimeve pozitive sa i përket qasjes në gjykatë ku vetëm 22 % e kanë vlerësuar “mirë”, të ndjekur nga 19% e atyre që vlerësojnë “mirë” kohëzgjatjen e procedimeve gjyqësore dhe vetëm 20% vlerësojnë “mirë” transparencën e institucioneve të drejtësisë.
Ndërkohë që procesit të rivlerësimit në shkallë të parë po i vjen fundi, statistikat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deri në datën 30 shtator 2024 tregojnë se janë rivlerësuar dhe dhënë vendime për 793 subjekte, nga të cilët 363 janë konfirmuar në detyrë ndërsa 266 janë shkarkuar nga detyra. /ekofin.al
