Shqipëria do të marrë një tjetër eurobond në vitin 2025, me vlerë 600 milionë euro. Ministria e Financave ka nisur procedurat për një firme ligjore të specializuar në dhënien e konsulencës për emetimin e Eurobond-it të shtatë, me ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë.
Në garën e shpallur thuhet se ky eurobond që pritet të emetohet në muajit e parë të vitit 2025, do të përdoret për të mbuluar nevojat e qeverisë, si për financimin e borxhit të kaluar ashtu edhe për shpenzime të tjera e mbështetje buxhetore.
Ministria e Financave, pret që eurobondi i ri që do të emetohet të jetë me afat maturimi nga 5-15 vjet dhe me normë të favorshme interesi, që do t’i shërbente nevojave të vendit.
Duke qenë se pas reduktimit të inflacionit bankat qendrore po lehtësojnë politikat e tyre monetare duke ulur normat bazë të interesit, borxhi mund të merret me një kosto më të ulët se ai i emetuar vjet, por ekspertët gjykojnë se situata në tregjet e huaja ende nuk është e stabilizuar.
Gjithashtu rritja e vlerësimit nga agjencitë ndërkombëtare të rating-ut për borxhin sovran të Shqipërisë pritet të sjellë ulje të normave të interesit, duke i bërë më atraktive investimet në tituj borxhi të Qeverisë.
