Përmbytjet e fundjavës së kaluar në qytetin e Vlorës shkaktuan dëme të konsiderueshme në banesat e qytetarëve, si edhe në biznese. Nga Emergjencat civile bëhet e ditur se janë verifikuar brenda një jave 323 banesa dhe 73 biznese të dëmtuara. Pjesa më e prekur e Vlorës është rajoni 5, sidomos lagjia “Karabash“ dhe lagjia ‘Kushtrim’ ku dëmet ishin më të shumta.
Autoritetet kanë vënë në dispozicion 200 mijë euro nga fondi i emergjencave civile, por dëmet raportohet të jenë shumëfish më të mëdha. Autoritetet shtetërore premtuan kompensim për të prekurit, por verifikim janë në proces dhe ende nuk dihet se sa do të jetë dëmshpërblimi.
Ekofin ka biseduar me disa nga përfaqësuesit e bizneseve të dëmtuara, ku njëri prej tyre theksoi se dëmet në biznesin e tij shkojnë deri në 1 milionë euro. Të pyetur nëse kishin një kontratë sigurimi për përmbytjet, shumica e bizneseve theksuan se nuk e kishin një të tillë. E njëjta situatë paraqitet edhe sa i përket banesave të dëmtuara dhe tani të gjithë presin sesa do të kompensohen nga autoritetet shtetërore.
Shqipëria, edhe në raportet e Bankës Botërore, vlerësohet mes vendeve evropiane me risk të lartë për t’u goditur nga fatkeqësitë natyrore, ku përfshihen tërmetet dhe përmbytjet. Por edhe pse Shqipëria u godit në vitin 2019 nga një tërmet shkatërrimtar, që solli humbje jetësh dhe dëme të konsiderueshme. Në atë rast, për të gjitha pronat e qytetarëve dhe bizneset që ishin të siguruara, shoqëritë e sigurimit paguan mbi 40 milionë euro dëme brenda një periudhe relativisht të shkurtër.
Ndërkohë, procesi i rindërtimit, pas tërmetit nuk është mbyllur ende, edhe pse në nëntor bëhen 5 vite. Megjithatë, sigurimi i pronës nga zjarri, tërmetet, ose përmbytjet, që është një sigurim vullnetar, mbetet në nivele shumë të ulëta dhe kryesisht më shumë për efekt kredie. /ekofin.al
