Është zbardhur rregullatorja e miratuar nga Banka e Shqipërisë që synon kufizimin e kreditimit nga institucionet financiare jobanka. Parashikohet që ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në institucionet financiare jobanka” të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.
Ekofin.al ka analizuar ndryshimet që rregullorja ka pësuar nga versioni fillestar që iu dërgua përfaqësuesve të tregut për konsultim publik deri te miratimi dhe zbardhja e plotë e saj. Konstatohet se neni që parashikonte vendosjen e kufizimeve në kontratat e kredisë konsumatore nuk ka pësuar asnjë ndryshim.
Kështu, nuk do të lejohet dhënia e kredive për personat nën 18 vjeç, akordimi i tyre për personat me aftësi të kufizuara, nuk do të lidhen kontrata kredie konsumatore gjatë natës, pra nga ora 22:00 deri në 7:00 dhe gjithashtu nuk mund të akordohen më shumë sesa 2 kredi në të njëjtën kohë për të njëjtin kredimarrës.
Sa i përket neneve të tjera të rregullores, Ekofin po publikon i publikon ato më poshtë të plotë, ku pjesët e markuara me të verdhë kryesisht janë hequr/ndryshuar.




Një nga ndryshimet kryesore që ka pësuar rregullorja është zbutja e kërkesës që lidhej me raportin e shërbimit të borxhit mbi të ardhurat. Në variantin fillestar kompanitë nuk mund të jepnin kredi tek një kredimarrës, këstet mujore të së cilit ishin më të mëdha se 40% e të ardhurave të tij mujore. Por në variantin e miratuar ky kufi është rritur në 60%.
Gjithashtu, në variantin final të rregullores është shtuar edhe një kërkesë tjetër, te neni 20/3 i blerjes së kredive me probleme, ku ata që kanë kredi me probleme nuk lejohet që të marrin kredi për të shlyer detyrimet që kanë. /ekofin.al
