Panelet diellore vertikale vërtetohet të jenë një zgjidhje e re për vendet në Europën Veriore, duke dhënë 20 për qind më shumë energji sesa panelet tradicionale.
Stadiumi kombëtar i futbollit të Norvegjisë ka 1242 panele diellore që shtrihen përgjatë çatisë. Këto nuk janë panele tradicionale të sheshta. Minipanelet diellore në formë katrore kanë dy karakteristika kryesore që i dallojnë nga ato që shihen zakonisht në ndërtesa: ato janë dyanëshe, që do të thotë se kanë dy anë aktive dhe janë të instaluara vertikalisht.
Në qershor 2024, stadiumi “Ullevaal” në Oslo u bë vendi i parë i instalimit më të madh vertikal të paneleve diellore në një çati, duke e vendosur stadiumin në krye të inovacionit të energjisë së rinovueshme. Stadiumi ka një qëllim ambicioz për të prodhuar të paktën 250,000 kilovat-orë (kWh) energji elektrike në vit, e vlerësuar si energjia e nevojshme për të furnizuar 71 familje për një vit.
Këto module diellore vertikale dyanëshe janë zgjidhja e vetme e aftë për të arritur këto shifra, veçanërisht në rajone më të ftohta dhe me më pak diell. Nëse qëllimi arrihet, stadiumi do të zgjerojë instalimin e tij në anët e tjera të çatisë.
Cili është ndryshimi midis paneleve diellore vertikale dhe horizontale?
Mund të duket e palogjikshme të mos i pozicionosh panelet drejtpërdrejt me diellin, pasi instalimet zakonisht pozicionohen në mënyrë të tillë që të përshtaten me gjerësinë gjeografike në të cilën ndodhen ndërtesat. Megjithatë, studimet e fundit tregojnë se panelet dyanëshe vertikale fotovoltaike (PV) mund të tejkalojnë modelet tradicionale për sa i përket gjenerimit të energjisë.
Shkencëtarët në organizatën holandeze të kërkimit TNO shqyrtuan arsyet pas kësaj gjetjeje. Nuk është për shkak se panelet diellore kanë dy anë të kundërta, por sepse panelet tradicionale të sheshta kanë tendencë të mbinxehen kur rrezet e diellit janë shumë të forta. Ato humbasin rreth 1 për qind të performancës për çdo 2 deri në 3 gradë celsius që ngrohen. Dhe panelet e pjerrëta mund të nxehen lehtësisht me 50 gradë, ndërsa sistemet e paneleve në fushë të hapur ngrohen deri në 25-30 gradë më shumë se ajri i ambientit.
Cila është e ardhmja e paneleve diellore vertikale?
Transformimi i objekteve publike në prodhues të energjisë po bëhet gjithnjë e më i përhapur. “O2 Arena” në Londër dhe stadiumi “Galatasaray” i Turqisë janë shembuj se si vendet e argëtimit po ecin drejt qëndrueshmërisë, duke integruar zgjidhjet e energjisë së rinovueshme në veprimtarinë e tyre, të cilat gjithashtu i ndihmojnë të reduktojnë kostot.
Ndërsa qytetet kërkojnë të zvogëlojnë gjurmën e tyre të karbonit, kërkesa për zgjidhje më efikase të energjisë diellore që kursejnë hapësirën po rritet përtej vendeve publike. Panelet e tilla mund të kombinohen gjithashtu me çatitë e gjelbra, të cilat ndihmojnë qytetet të thithin CO2 dhe të bëhen më miqësore me mjedisin, një veçori që nuk është e mundur me panelet e pjerrëta. Në Gjermani, ballkonet diellore, panele të vogla të instaluara në tarracat e apartamenteve, po bëhen të njohura si një mënyrë për të kompensuar konsumin individual të energjisë.
Panelet diellore vertikale janë një teknologji në zhvillim që ka të ngjarë të luajë një rol të rëndësishëm në tranzicionin e energjisë dhe të ndihmojë BE-në të arrijë objektivin e saj të detyrueshëm prej 42.5 për qind të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030. Sipas Komisionit Evropian, integrimi i kësaj teknologjie mund të ndihmojë më tej Evropën të rregullojë luhatjet e çmimeve të energjisë dhe të sigurojë më shumë siguri energjetike. /Përgatiti: ekofin.al
