Në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, “Nënë Tereza” është vendosur kioska e re e vetëshërbimit nga IPORT, që iu vjen në ndihmë udhëtarëve të marrin shumë shpejt kartën e tyre të imbarkimit.
TIA informon se udhëtarët duhet të skanojnë pasaportën e tyre dhe menjëherë marrin kartën e imbarkimit, duke e bërë përvojën e udhëtimit më të shpejtë dhe më të thjeshtë. Kjo teknologji e re e thjeshton procesin e check-in, redukton kohën e pritjes dhe rrit komoditetin për pasagjerët.
TIA, informon se është e përkushtuar për të implementuar teknologji moderne për të përmirësuar operacionet dhe për të siguruar një udhëtim të qetë për të gjithë pasagjerët.
Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI), për muajin gusht 2024, numri i pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës u rrit me afro 193% krahasuar me periudhën e parapandemisë (gusht 2019).
Flukset turistike kanë shtuar edhe nevojën për shërbime të shpejta që lehtësojnë përvojën e udhëtimit për pasagjerët. /ekofin.al
