Një analist nga Banka e Amerikës beson se vrulli i arit nuk do të ndalet dhe se po shkon drejt 3,000 dollarëve për ons.
Në mënyrë të veçantë, me pikun e rritjes së re prej 2,600 dollarë për ons, ari ka shënuar një avancim prej 25% këtë vit dhe normat më të ulëta të Rezervës Federale (Fed) mund të çojnë çmimin e këtij metali të çmuar në 3,000 dollarë deri në vitin 2025, siç tha eksperti i BofA-së, Jason Fairclough.
“Goldman Sachs” ka parashikuar që çmimi i arit do të arrijë rritjen e tij rekord në nivele të reja maksimale deri në fillim të vitit 2025, duke përmendur rritjen graduale të flukseve të fondeve të tregtuara në këmbim, me ulje të normave të interesit në Perëndim dhe Kinë, dhe blerje më të larta të Bankës Qendrore.
Përveç rritjes së tensioneve gjeopolitike, të cilat priren të favorizojnë asetet e sigurta si ari, ka edhe faktorë të tjerë që ndihmojnë në rritjen e mëtejshme të këtij produkti. Këta faktorë janë rënia e normave të interesit dhe ajo që duket të jetë një kërkesë e pangopur për metalin e çmuar nga bankat qendrore në vendet e tregut në zhvillim.
Siç bëhet e ditur, “Goldman Sachs” rriti objektivin e çmimit të arit në 2,900 dollarë për ons nga 2,700 dollarë që është aktualisht, një rritje kjo prej rreth 9%. Goldman theksoi se bankat qendrore të vendeve të tregjeve në zhvillim si Kina qëndrojnë prapa përparimit strukturor të çmimeve të arit që nga viti 2022.
Por, sipas vlerësimeve, përveç normave më të ulëta të interesit dhe kërkesës solide nga bankat qendrore, ari duhet të jetë në “listën rezervë të investitorëve”. Arsyet pas kësaj janë rreziqet e shumta në tregje tani si zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, shpërthimi i mundshëm i luftës midis Izraelit dhe Iranit, si dhe pasiguria ekonomike e lidhur me fatkeqësitë natyrore të shkaktuara në Bregun Lindor të Amerikës. /Përgatiti: ekofin.al
