Shumica e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë në ndikimin pozitiv të integrimit në BE në ekonominë e tyre, por jo në të njëjtën masë me vitet e kaluara.
Rezultatet e Barometrit të Ballkanit të vitit 2024 treguan se 54% e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor besojnë se anëtarësimi në BE do të ishte një gjë e mirë për ekonominë e tyre, ndërsa 10% mbeten skeptikë në lidhje me perspektivat e ekonomisë së tyre për t’u anëtarësuar në BE. Për të dytin vit radhazi, ka një rënie të besimit se anëtarësimi në BE do të ishte i dobishëm për ekonominë e tyre, këtë vit me 8 pikë përqindje më pak se në vitin 2021.
Mbështetja e publikut për anëtarësimin në BE në Ballkanin Perëndimor ishte në rritje graduale me përqindjen e pikëpamjeve pozitive nga 2014/2015 në 62% në 2021, por ka shënuar një rënie në 54% në 2024. Pavarësisht sfidave të tilla si përparimi i ngadaltë në procesin e anëtarësimit, lodhja nga reformat, pasiguria për perspektivat e anëtarësimit, dinamika komplekse gjeopolitike dhe pengesa të rëndësishme ekonomike dhe sociale, ndjenja pozitive drejt anëtarësimit në BE mbetet e fortë.
Qytetarët në rajon vazhdojnë ta shohin zgjerimin e BE-së si një mënyrë për të adresuar çështjet e vjetra dhe për të arritur stabilitet, prosperitet dhe integrim më të ngushtë me Evropën. Ndërkohë, reagimet neutrale kanë mbetur relativisht të qëndrueshme dhe kundërshtimi ka rënë paksa. Përgjigjet vazhdimisht të ulëta “nuk e di” tregojnë se shumica e njerëzve kanë një mendim të qartë për këtë çështje.
Në të njëjtën kohë, qytetarët mbeten me shpresë se integrimi në BE do të ndodhë brenda dekadës së ardhshme, por ka ndryshime të mëdha në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë doza skepticizmi rreth rezultatit të procesit të pranimit në disa prej ekonomive. Rreth 20% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, ndër ta edhe 34% e shqiptarëve parashikojnë anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, ndërsa 23% presin midis 2030 dhe 2035. Megjithatë, më pak njerëz (18%) besojnë se ekonomia e tyre nuk do të anëtarësohet kurrë në BE, një rënie prej 10% pikë nga viti 2022.
Prosperiteti ekonomik dhe liria për të studiuar/punuar në BE janë dy pritjet kryesore nga anëtarësimi në BE, me 43% dhe 35% të të anketuarve, ku shqiptarët kryesojnë me 58%, ndërsa liria për të udhëtuar, paqja dhe stabiliteti renditen të barabartë me 27% të të anketuarve. /ekofin.al
