Shqipëria do të jetë mes vendeve të para të Ballkanit Perëndimor që do të bëhen pjesë e Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe kjo gjë pritet të ndodhë në muajt e parë të vitit 2025. Një fakt i tillë është konfirmuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Zgjerimit në KE, Gert Jan Koopman.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, Koopman theksoi se në përgjithësi vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparime në këtë drejtim, por sipas tij Mali i Zi, pasuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të parët në rradhë për t’u bërë pjesë e SEPA-s.
“Pres që vendi i parë i Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi, të bëhet pjesa e SEPA në 1 janar 2025, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta ndjekin brenda një kohe të shkurtër. Edhe Serbia kërkon të jetë pjesë, ashtu si Kosova dhe shpresojmë që edhe Bosnje Hercegovina, të jenë pjesë e SEPA së afërmi,” u shpreh Koopman.
Anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA është një nga lehtësitë e ofruara nga Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e Planit të Rritjes, që u prezantua në nëntor të vitit të kaluar dhe mori miratimin përfundimtar të Parlamentit Evropian në maj të këtij viti.
SEPA pritet të sjellë përfitime të mëdha dhe ulje të kostove të transaksioneve për qytetarët dhe bizneset. Banka e Shqipërisë vlerëson se me aderimin në SEPA, qyterarët dhe bizneset do të kursejnë afro 20 milionë euro në vitin e parë.
Kosto e transfertave do të jetë afërsisht 5 herë më e ulët se aktualisht. Remitancat janë një burim jetik financimi dhe ndihme për shumë familje shqiptare dhe më gjerë, për ekonominë. Banka Botërore bën të ditur se 1.9 miliardë euro janë dërguar nga diaspora gjatë vitit 2023 tek familjet e tyre në Shqipëri.
Sipas BB, nëse Shqipëria futet në pagesat digjitale europiane, ekonomia do pësoje rritje me 1% të PBB dhe remitancat do të jenë më të mëdha për shkak të interesave më të ulëta. Emigrantët dhe qytetarët parashikohet të kursejnë deri në 100 milion euro vetëm nga ulja e kostove të dërgesave.
Shqipëria ka aplikuar zyrtarisht më 12 qershor 2024 për t’u bërë pjesë e SEPA-s dhe tashmë përpjekjet e saj duket se do të konkretizohen në fillim të vitit të ardhshëm. /ekofin.al
