Për 791 257 pensionistë në Shqipëri nis nga sot indeksimi i pensioneve në masën 4.1 %. Indeksimi bëhet duke u bazuar në llogaritjen e Institutit të Statistikave të indeksit mesatar vjetor të muajit gusht 2024 për mallrat e shportës për pensionistët. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në afro 1.7 miliardë lekë vetëm për tre muajt e vitit 2024.
Por ekspertët janë të mendimit se indeksimi është thjesht një detyrim ligjor dhe ai nuk duhet të trajtohet si rritje pensionesh. Gjithashtu ata gjykojnë se përballë çmime të rritura, sidomos gjatë viteve të fundit, indeksimi nuk mund të jetë i mjaftueshëm.
“Nuk përbën ndonjë lajm, meqë fillojnë pensionet më 1 tetor të indeksuara, jo të rritura. Një pensionist në qytete, në zonat urbane, rritet pensioni me 752 lekë mesatarisht. Çdo qytetar përfiton një herë në dy dite nga një kafe 50 lekëshe. Zonat rurale mesatarisht rriten me 450 lekë, që i bie që në tre ditë e gjysmë të pijë nga një kafe 50-lekëshe. INSTAT-i ka dalë jashtë kontrollit, nuk pasqyron çmimet e tregut. Si është kjo rritja me 4,1 për qind?! Pasojat janë të rënda për qytetarët. Në këndvështrimin tim çmimet janë rritur mbi 35-40 përqind. Minimalisht, secili nga pensionistët të merrte jo më pak se 30 mijë lekë të vjetra shtesë në muaj. Gjithashtu duhet një rivlerësim i gjithë skemës dhe mendoj që nuk duhet të ketë pension nën 250 euro,” u shpreh në një studio televizive eksperti Kujtim Hoxha.
Indeksimi është detyrim ligjor i skemës së sigurimeve shoqërore dhe synimi kryesor i tij është ruajtja e fuqisë blerëse të pensioneve kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit. Sipas njoftimeve të mëparshme, në mes të tetorit 2024, qeveria pritet të nisë edhe konsultimet për rishikimin e skemës së pensioneve, e cila synon vendosjen e barazisë mes profesioneve me të ardhura të njëjta. /ekofin.al
