Austria, Danimarka, Franca, Gjermania, Holanda dhe Polonia përmes një letre të përbashkët drejtuar ministrave të konkurrencës në Bruksel një ditë më parë, kanë bërë thirrje për masa më të forta ndaj platformave të shitjeve online (e-commerce). Të gjashta vendet i kërkuan Komisionit Evropian të marrë “të gjitha masat e nevojshme brenda kompetencës së tij” për të zbatuar Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) kundër platformave shumë të mëdha online (VLOPS).
Përcaktimi i tregjeve online të Temu dhe Shein si VLOP “është një hap i rëndësishëm” në zbatimin e rregullave, por “mbetet thelbësore të zbatohet me rigorozitet DSA”, thuhej në letër. Temu dhe Shein u listuan ndër 25 platformat që kanë më shumë se 45 milionë përdorues mujorë në BE, ndër të cilat Amazon, TikTok dhe Meta. DSA hyri në fuqi në shkurt 2024 për të gjitha platformat online, ku përcaktohen rregullat e transparencës dhe detyrimet në lidhje me produktet e paligjshme.
Komisioni do të duhet të mbledhë të dhëna në bashkëpunim me koordinatorët kombëtarë të shërbimeve digjitale për të zbuluar shkeljet dhe për të vendosur sanksione efektive, thuhet në letër. Hap tjetër për zbatimin e masave mund të jetë digjitalizimi i specifikimeve të produktit (pasaporta digjitale e produktit), i cili luan rol thelbësor në zbulimin automatik të shmangies nga standardi.
Komisioni është përkushtuar në marrjen e masat më të forta sa u përket shitjeve online, bazuar në kontrollet efektive doganore, tatimore dhe të sigurisë. Ai tashmë ka nisur disa hetime për shkeljen e Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), duke përfshirë një kundër platformës online AliExpress.
Shtetet gjithashtu bënë thirrje për më shumë mbikëqyrje të tregut në vendet anëtare të BE-së, nëpërmjet ushtrimit më të fortë të kompetencave të ndërhyrjes së autoriteteve, veçanërisht në lidhje me aftësinë e tyre për të vepruar kundër platformave të shitjeve online.
