Mira Murati, shefja për teknologji e kompanisë OpenAI, ka njoftuar largimin e saj nga kjo kompani pas gjashtë vjet e gjysmë. Ky zhvillim vjen në një periudhë jo të qetë për kompaninë e njohur për zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale, e cila mbështetet nga Microsoft. Largimi i Muratit vjen në vazhdën e një sërë largimesh, ku një numër zyrtarësh të lartë, përfshirë edhe themeluesit Ilya Sutskever dhe John Schulman, kanë lënë kompaninë gjatë këtij viti.
OpenAI, e njohur për produktin e saj më të njohur, ChatGPT, ka përjetuar një rritje të madhe dhe është një prej kompanive më të spikatura në fushën e teknologjisë së inteligjencës artificiale.
“Asnjëherë nuk është momenti i duhur që të largohesh nga vendi që e vlerëson, por sërish, ndiej se ky është vendimi i duhur”, tha Murati, inxhinierja 35-vjeçare nga Vlora e Shqipërisë.
“Lansimi i modeleve tona për të folurit të Open AI o1, shënojnë fillimin e një epoke të re të ndërveprimit dhe inteligjencës – arritje të mundësuara nga zgjuarsia dhe mjeshtëria juaj”, tha Murati në njoftimin dërguar punonjësve të OpenAI.
Murati tha se po largohet nga kompania sepse dëshiron të krijojë “kohë dhe hapësirë për të eksploruar”. Ajo shtoi se fokusi i saj kryesor do të jetë që në kompani të ketë një “tranzicion” të lehtë pas vendimit për t’u larguar nga kompania. Shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, përmes një postimi në X e falënderoi Mira Muratin “për gjithçka”.
