Vijojnë të bien yieldet e bonove të thesarit të Qeverisë. Një tendencë e tillë e tregut sipas ekspertëve është e parashikueshme, në kushtet kur monedha vendase vijon të forcohet, borxhi i Qeverisë vijon të ketë tendencë rënëse dhe politika monetare e BSh ndryshoi në kahun e kundërt, pas disa rritjeve të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit për të luftuar inflacionin.
Në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë, yieldi mesatar i ponderuar për bonot me maturim 12-mujor, zbriti në 3.11%, nga 3.15%, që ishte në ankandin e mëparshëm të muajit gusht. Kjo vlerësohet si një nga normat më e ulëta të viteve të fundit, kur nisi edhe kriza e inflacionit, që solli rritjen e normave bazë të interesit nga BSH dhe që ndikoi edhe në rritjen e normave të yieldeve.
Në ankandin e fundit të datës 24 shtator, u ofruan për shitje 6.5 miliardë lekë bono, ndërkohë që investitorët ofruan mbi 12.4 miliardë, gjë që ndikoi edhe në uljen e mëtejshme të yieldit.
Kjo rënie e bonove të thesarit pritet të reflektohet në një ulje të mëtejshme të kostove të huamarrjes si për sektorin privat, ashtu edhe për individët. Pjesa më e madhe e kredive, sidomos ato për blerje banese për individët llogariten me interesin e bonove 12-mujore, plus marzhin e fitimit të bankës. Në anën tjetër, interesat e depozitave pritet të bien dhe nuk do të jenë më aq atraktiva, sa në periudhën e normave të larta të interesit. /ekofin.al
