Një artikull i mediave greke, kushtuar shqiptarëve, citon se sipas censit të 2021, të paktën 374.900 shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Greqi, por shifra reale mund të jetë më e lartë. Sipas artikullit, thuhet se qytetarët grekë mendojnë se emigrantët kanë një rol kyç sa i përket “motorit” ekonomik të vendit për shkak të fuqisë punëtore që Greqisë i nevojitet, megjithatë shumë shqiptarë morën kursimet e tyre dhe u kthyen për të vijuar jetën në Shqipëri.
Sipas studimit mbi emigrantët, të kryer nga “EL.STAT”, Greqia ka pësuar një rënie të popullsisë së huaj me 16,1% krahasuar me vitin 2011. Shqiptarët po krijojnë sërish një krizë emigrantësh. Arsyet kryesore të largimit të tyre nga Greqia janë pakënaqësitë sa i takon trajtimit në vendet e punës, ku përfshihet pagesa, orët shtesë apo pengesat e shumta për të rinovuar leje e qëndrimit. Kjo e fundit është një arsye mjaft e fortë, pasojat e së cilës, shteti grek i kuptoi pasi dëmi ishte bërë.
Siç artikulli thekson, shumë shqiptarë përdorin “letrat greke” për të ikur drejt Mbretërisë së Bashkuar. Pasojat e largimit të shqiptarëve, fuqinë më të madhe punëtore të emigrantëve në Greqi, po ndihen çdo ditë e më shumë.
Sipas analizave, pjesëmarrja e emigrantëve në aktivitetin ekonomik para krizës financiare ka kontribuar në rritjen e PBB-së nga 2.3% në 2.8%.Sot, rreth 70,000 punëtorë mungojnë në sektorin e bujqësisë, 80,000 në turizëm dhe hoteleri dhe së bashku me mungesën e fuqisë punëtore në ndërtim, ka nevojë për 200,000 njerëz.
