Sistemi bankar në Shqipëri vijon të ketë një ecuri pozitive dhe rritje të vazhdueshme të veprimtarisë financiare.
Sipas të dhënave, fitimi neto i sektorit bankar në fund të muajit qershor arriti në 18.6 miliardë lekë, vlerë kjo rreth 26% më e lartë krahasuar me vitin 2023. Ndikimin kryesor e dhanë të ardhurat neto nga interesat, por gjithashtu edhe performanca e mirë e investimeve në instrumentet financiare, si dhe të ardhura më të larta nga komisionet.
Të ardhurat neto nga interesat u rritën me 4.2 miliardë lekë kundrejt një viti më parë, duke u ngjitur në nivelin 37.4 miliardë lekë. Gjysma e parë e vitit ka shënuar një rritje shumë më të shpejtë të të ardhurave bruto nga interesat me rreth 7 miliardë lekë, duke arritur në nivelin 46.5 miliardë lekë, kundrejt shpenzimeve për interesa që u shtuan me rreth 3 miliardë lekë. Rreth 85% e kontributit në rritjen e rezultatit neto nga interesat lidhet me aktivitetin në monedhën vendase.
Shtimi i të ardhurave nga interesi u pasqyrua edhe në rritjen e marzhit neto nga interesat në 4.4% nga 4.2% një vit më parë. Të ardhurat jo nga interesat të arkëtuara nga bankat gjatë periudhës u rritën me 3.1 miliardë lekë, në nivelin 10.7 miliardë lekë. Në këtë rritje kontribuan fitimi nga instrumentet financiare, me rreth 2 miliardë lekë dhe të ardhurat nga komisionet me 1 miliardë lekë.
Niveli i mbulimit të kostove të veprimtarisë nga të ardhurat e bankave është përmirësuar, pasi rritja në shpenzimet e veprimtarisë ishte shumë më e vogël në krahasim me rritjen e të ardhurave. Në krahasim me vitin e kaluar, shpenzimet e veprimtarisë u rritën me 2.4 miliardë lekë, në rreth 23.8 miliardë lekë.
Raporti i shpenzimeve të veprimtarisë ndaj të ardhurave u ul ndjeshëm gjatë periudhës, në 49% nga 53%. Paralelisht me rritjen e të ardhurave, pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve paraqet rritje të shpenzimeve të veprimtarisë bankare.
