U miratua të enjten në Kuvend ligji i ri “Për inspektimet në Republikën e Shqipërisë”, i cili sjell risi masën administrative të paralajmërimit, duke u dhënë mundësi biznesve të korrigjojnë parregullsitë përpara se të përballen me ndëshkimin me gjobë.
Pritet që ky ligj të sjellë ndryshime thelbësore në reformimin e procesit e inspektimit për të lehtësuar barrën e biznesit dhe garantuar produkte të sigurta, mjedis më të pastër dhe kushte pune më të mira.
Gjithashtu, bizneset që kanë një sjellje të rregullt do të inspektohen më rrallë, duke ulur ndërhyrjet e panevojshme. Do të krijohet një databazë e integruar, ku subjektet do të kenë një skedë individuale dhe do të kategorizohen sipas riskut të tyre. Projektligji përfshin gjithashtu garantimin e një procesi të pavarur ankimimi, duke larguar shqyrtimin e ankesave nga inspektoratet përkatëse dhe duke i zhvendosur pranë Inspektoratit Qendror. Komisioni i Shqyrtimit të Ankimit do të ketë një përbërje shumëpalëshe, duke përfshirë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Ligji parashikon edhe krijimin e Bordit të Inspektimeve, një organ kolegjial që do të koordinojë dhe harmonizojë politikat dhe standardet e inspektimeve në nivel kombëtar, duke garantuar një sistem më efikas dhe transparent inspektimi. Ligji do të hyjë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
