Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të nisë procedurat e licencimit për katër impiante fotovoltaike, secili me kapacitet prej 2 MW, të ndodhur në fshatin Grykë, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier. Katër shoqëritë që kanë kërkuar këtë licencë janë “REBESOL” shpk, “PARISOL” shpk, “SAMASOL” shpk dhe “ZENINA” shpk.
Këto investime janë mbështetur nga qeveria me një tarifë të garantuar për energjinë e prodhuar prej 95.04 euro për MWh, siç përcaktohet për vitin 2024. Ky lloj investimi ka përfituar nxitje nga qeveria që pas krizës së energjisë. Megjithatë, edhe pse numri i impianteve të energjisë fotovoltaike është rritur, kontribuimi i tyre në prodhimin total të energjisë mbetet i ulët. Në vitin 2023, energjia fotovoltaike përbënte vetëm 0.4% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë në vend, i cili dominon nga burimet hidrike.
